AKTUALITET, 21 Dhjetor 2017, 09:54

Kush janë 6 deputetët që sot shkojnë në gjykatë, pas protestës para Kuvendit

Kush janë 6 deputetët që sot shkojnë në gjykatë,

3 ditë pas arrestimit të tyre, me akuzën se kanë ushtruar dhunë gjatë protestës së opozitës së bashkuar ditën e hënë para godinës së Kuvendit, ditën e sotme mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj 6 protestuesëve të arrestuar nga policia.

Ndërkohë, në mbështetje të tyre kanë mbërritur edhe deputetë të Partisë Demorkatike, Gent Strazimiri, Myslym Murrizi, Klevis Balliu, Isuf Çela.

Ata kanë mbërritur në Gjykatën Penale, pranë burgut të Tiranës, ku po mbahen simpatizantët e PD prej tre ditësh dhe do të marrin pjesë në seancën gjyqësore ndaj tyre.

Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, i proceduar po ashtu penalisht, bashkë me 9 deputetë të tjerë të opozitës do të jetë sot në mbledhjen e Byrose në orën 10.00. ku do të mbajë një qëndrim dhe do të largohet menjëherë.

Tre ditë më parë policia njoftoi se: Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë gjatë prostestës së opozitës të zhvilluar në datën 18 dhjetor 2017 para Kuvendit të Shqipërisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë, të:

• Renato Xhihani, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë;

• Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë);

• Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.

Arrestimi u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës, vepër penale e parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit:

• E.M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;

• S.L., 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambjentet e brendshme të Kuvendit.

Si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës Policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor”.