AKTUALITET, 21 Dhjetor 2017, 09:21

Projekti i BB për Beratin dhe Përmetin, në garë 16 operatorë, ja kush fitoi tenderin

Projekti me Bankën Botërore për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin i cili përfshin një total prej 60 milionë dollarë ka filluar të jetësohet në disa nën komponentë ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre janë në fazë prokurimi. Një nga këto nën komponentët e rëndësishëm të tij janë edhe përmirësimi urban dhe infrastruktura në dy qytete të rëndësishme si Berati dhe Përmeti. Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri me dije se tashmë ka përfunduar edhe procedura e përzgjedhjes së kompanisë e cila do të mbikëqyre këtë shërbim.

Në procedurë mirën pjesë të paktën 16 operatorë ku pjesa më e madhe janë joint-venture apo shoqëri të bashkuara qëllimisht për këtë procedurë.

Në listën e gjatë bien në sy disa prej kompanive kyçe që kanë ndjekur procedura të ngjashme edhe në të kaluarën për llogari të qeverisë shqiptare por fituese është shpallur Taulant sh.p.k me 75.32 pikë. Pas tij vijnë të renditura A & E Engineering sh.p.k. dhe JV AVE Consulting sh.p.k. & Sphaera sh.p.k.

Komponentët e projektit

Projekti parashikon të paktën tre komponentë kyçë sipas dokumentit të publikuar në faqen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Këto komponentë konsitojnë në:

Komponenti 1. Përmirësimi urban dhe përmirësimi i infrastrukturës (50 milion $ amerikan).

Nen komponenti 1A: Përmirësimi i integruar urban dhe i qytetit.

Nënkomponenti1B: Përmirësimi i integruar i pikave satelitore.

Komponenti 2. Ngritja e kapaciteteve institucionale (8 milionë $ amerikan).

Nen komponenti 2A: Ndërtimi i kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve bashkiake

Nen komponenti 2B: Ndërtimi i kapaciteteve për rritjen e qëndrueshme të turizmit

Komponenti 3: Mbështetja në zbatim (2 milion $ amerikan)

Projekti përqendrohet në jug të Shqipërisë, që përfshin zonën ndërmjet Vlorës dhe Sarandës dhe mbulon edhe zonën bregdetare ashtu edhe pjesën e brendshme të zonës jugore (përfshirë Berat, Përmet dhe Gjirokastër).