TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ilir Meta ka deklaruar të mërkurën në Pogradec se palët duhet të të gjejnë një zgjidhje dhe se ai është i gatshëm të sakrifikojë edhe postin që mban, atë të kreut të shtetit në emër të një marrëveshjeje.
“…jam i gatshëm për hapa…që nga dorëzimi i mandatit tim si President, pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara…” tha ai.
Nëse nga shumëkush kjo deklaratë e fortë u pa si një rreshtim i koordinuar me bllokun opozitar Basha-Kryemadhi, sipas modelit ata dogjën mandatet edhe unë si kryetar shteti jam i gatshëm ta bëj këtë, ajo mund të interpretohet edhe në një mënyrë të ndryshme.
Si një kunjë direkte me kryeministrin apo si një antitezë totale me qëndrimet e Ramës.
Deklarata e Metës për “dorëzim Mandati”, pra si largim nga presidenca, duhet shikuar e lidhur me një shprehje tjetër që gjendet në atë tekst të artikuluar në Pogradec: “unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojnë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta”.
Po cili është njeriu që nuk e ka sakrifikuar kurrë karrigen e tij.
Ilir Meta është nga ata politikanë që në të mirë apo në të keq, ka dhënë shumë dorëheqje në karrierën e tij, jo vetëm kur ka qenë në PS por edhe si kryeministër apo zv. kryeministër.
Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen edhe nga presidenca edhe nga kryesimi i PD-së.
Pandeli Majko ka ikur dy herë në mënyrë dinjitoze nga posti i shefit të ekzekutivit.
Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit për të kandiduar për bashkinë e Tiranës.
I vetmi njeri, ekskluzivisht i vetmi që ka plot 21 vite në politikë, i cili ka shkruar shumë tekste dorëheqjesh por asnjëherë të tijën, ai është Edi Rama.
Ai nuk dha dorëheqjen si ministër kulture, kur kandidoi në vitin 2000 për bashkinë e Tiranës (ndryshe nga Basha apo Olldashi).
Ai nuk dha dorëheqjen para zgjedhjeve 2009 nga kryebashkiak duke u bërë i vetmi kryetar partie që nuk kandidoi për deputet.
Ai nuk dha dorëheqjen as pasi i humbi zgjedhjet e këtij viti ,megjithëse këtë e kishte të sanksionuar në statutin e PS se kush humbet ikën. Ai shpiku në këtë rast kauzën e hapjes së kutive.
Ai shkoi edhe më tej, anulloi me referendum edhe garën për kryetarin e partisë më të madhe në vend.
Ai e refuzoi dorëheqjen edhe në kohën e çadrës kur dorëzoi gjysmën e qeverisë tek PD, por jo karrigen e tij.
Ai nuk e bëri atë as kur studentët e detyruan të shkarkonte plot 8 ministra.
Pra në dy dekada pa ndalim, Edi Rama është i vetmi politikan i lartë shqiptar që nuk e ka shkruar asnjëherë dorëheqjen e tij.
Vetëm po të dish këtë kronologji e kupton se ku rrihte Meta kur bëri deklaratën shpesh të keqkuptuar: Edhe mund të sakrifikoj mandatin tim për arritjen e një zgjidhjeje./Lapsi.al