Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një konferencë për shtyp nga selia e partisë, ka shpjeguar me detaje, se cilat sipas saj janë substancat narkotike që përdor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kryemadhi u ka bërë thirrje mjekëve personalë të kryeministrit, të ndihmojnë dhe ta shpëtojnë atë nga varësia ndaj narkotikëve.
"
Izotopet e alkooloideve që janë drogërat, të alkooloideve organike kanë efekt në trupin e njeriut nga 5 minuta deri në 90 minuta, ndërsa izotopet e alkooloideve sintetike ose të drogërave sintetike kanë efekt të përjetshëm, të cilat nguliten mirë në trurin e njeriut dhe nuk ikin më.
Kryeministri ynë është nën drejtimin dhe efektin tashmë për të gjithë jetën e tij ndaj këtyre izotopeve. Prandaj u bëj thirrje të gjithë mjekëve që janë anëtarë të Partisë Socialiste, pedagogëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës që janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe atyre deputetëve që janë mjek dhe pedagogë në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste të marrin fatet në dorë, sepse jo vetëm fatet e Shqipërisë, por edhe fatet e tyre dhe të familjarëve të tyre janë në dorën e një të sëmuri psikik dhe klinik.
Sot përfundimisht ne kemi përballë një njeri, që përveçse është peng i krimit të organizuar, është peng i substancave sintetike që tashmë nuk kanë më kthim mbrapa për të. I bëj thirrje doktorit personal dhe doktoreshës personale të z.Rama, zonjës Mira Rakaçolli dhe doktor Perlatit që ta ndalojnë Edi Ramën në rrugën e tij të përdorimit të substancave, ta fusin në një qendër detoksifikimi, në mënyrë të tillë që të shpëtojë ato pak vite që i kanë ngelur, ose në të kundërt ai e di shumë mirë që me sëmundjen e tij që ka, të azmës dhe të mushkërisë, përdorimi i këtyre substancave narkotike-sintetike do të shkatërrojë çdo ind dhe çdo nerv të mushkërive të tij dhe nuk më kthim mbrapa.
Duke pasur parasysh që ky njeri i çmendur që tashmë ka marrë peng të ardhmen e Shqipërisë, duhet të kuptojë njëherë e mirë që duhet të tërhiqet. Nëse nuk tërhiqet ai, do ta tërheqin studentët shqiptarë, do ta tërheqin ato djem dhe ato vajza që segmentet e tij kriminale të policisë së shtetit i rrahën dhe i goditën. Sot, më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për solidaritet kombëtar, por edhe prindëror sepse sot janë rrahur ata studentë, nesër do të rrihen fëmijët e tjerë", tha ndër të tjera Kryemadhi.
/TPZ.AL/