AKTUALITET, 18 Qershor 2019, 14:18

KQZ "dhëmb për dhëmb" me kryetarët e Bashkive: Urdhrat për lirimin e KZAZ-ve, të paligjshme

KQZ "dhëmb për dhëmb" me kryetarët e Bashkive:


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në një deklaratë për shtyp, u ka bërë thirrje kryetarëve të Bashkive, që të mos kërkojnë lirimin e KZAZ-ve, sepse kjo është një shkelje ligjore.

Kujtojmë se kryetarët e Bashkive nga rradhët e PD-së dhe LSI-së, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ambjenteve nën administrim nga Bashkitë, në zbatim të dekretit të Presidentit për anullimin e zgjedhjeve.

Duket se tashmë ka një luftë institucionale mes palëve. Edi Rama po marshon i vetëm drejt zgjedhjeve të 30 Qershorit, ndërkohë që opozita i konsideron ato të paligjshme.

"Disa kryetarë bashkie me shkresa drejtuar KZAZ-ve kanë kërkuar, lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave të Zonave të administrimit Zgjedhor, të caktuara me vendime nga KQZ, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në institucionet arsimore parashkollore dhe parauniversitare (çerdhe, kopshte, shkolla), në administrim dhe pronësi nga këto bashki.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Në vijim të deklaratës së datës 14.06.2019, KQZ ripërsërit kërkesën për të reflektuar dhe shmangur veprime që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, veprime të cilat cënojnë kompetencat dhe të drejtën e KQZ-së dhe KZAZ-ve,pjesë ë administratës së saj, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuar nga Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë", thuhet në deklaratën e KQZ.

/TPZ.al/