AKTUALITET, 23 Prill 2018, 22:44

KPP me dy vendime, si iu "dhurua" tenderi 4 milion euro nipit të Sadri Abazit

KPP me dy vendime, si iu "dhurua" tenderi 4 milion euro nipit të

Të dhënat e siguruara nga Tpz.al, nxjerrin në pah një seri shkeljesh të institucioneve më të rëndësishme në vend, për të favorizuar kompanitë e familjarëve të deputetëve socialistë. Alko Impex General Construction, një kompani në pronësi të nipit të deputetit të "rilindjes", Sadri Abazi, është shpalluar fituese të një tenderi për pastrimin e Tiranës, me një vendim tejet të dyshimtë nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Në muajin shtator, kompania në pronësi të Arbër Abazit (djali i vëllait të Sadri Abazit) fiton me ofertën më të lartë procedurën tenderuese të pastrimit të zonës Tirana III, me fond limit 494,683,652 lekë pa TVSH.  Pak javë më vonë, një nga pjesëmarrësit në garë, bashkimi i operatorëve ekonomikë “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E.”, bën ankimim në Komisionin e Prokurimit Publik, me pretendimin se ishin skualifikuar padrejtësisht dhe se oferta e tyre ishte më e ulët se ajo e paraqitur nga kompania e nipit të deputetit socialist.

Pas shqyrtimit, ky komision, me vendimin 781/2017, i datës 15 dhjetor 2017, i përbërë prej 27 faqesh, vendosi të pranojë ankesën. Sipas KPP-së, Bashkia e Tiranës duhet të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E”, si dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara si më sipër, duke e kualifikuar këtë bashkim operatorësh ekonomikë.

Por, kur pritej kualifikimi i këtyre operatorëve, Komisioni i Prokurimit Publik, në mënyrë të paprecedentë nxjerr një vendim të dytë pak muaj më pas, për të njëjtën çështje. Sipas vendimit të ri që disponon Tpz.al, me nr.100/2018 dhe që ka të njëjtin objekt shqyrtimi me vendimin e parë, kësaj here Komisioni i Prokurimit Publik vendosë që të mos pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E.”.

Pra, KPP ka rrëzuar vetëveten, njësoj sikur një gjykatë të nxjerr dy vendime të ndryshme për të njëjtën çështje. Neni 19/145, i Ligjit te Prokurimit Publik, pika 3 thuhet se: Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) merr vendime mbi ankesat e paraqitura para tij, duke mbajtur parasysh, parimet e mëposhtme: Paanshmërinë në shqyrtimin e ankesave, qëndrueshmërinë në vendimmarrje, ligjshmërinë.

Ndërsa në nenin 19/175, të Ligjit të Prokurimit Publik, pika 2 thuhet se:  Vendimet e marra nga KPP janë administrativisht përfundimtare.  Por asnjë nga këto dy nene, nuk janë respektuar nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).

Vendimi i dytë i Komisionit të Prokurimit Publik, i hapi rrugë kompanisë fituese firmën “Alko Impex General Construction", në pronësi të Arbër Abazit, nipit të deputetit socialist Sadri Abazi.

Përveç shkeljeve në institucionin më të rëndësishëm të tenderave, si ai i KPP, kompania e nipit të deputetit socialist, preket nga Konflikti i Interesit.

Në ligjin nr. 44/2014, datë 24.04.2014 për Konfliktin e Interesit thuhet:“Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funskionit të tij, zyrtari ose personi i afërt ka interes privat pasuror ose personal jopasuror, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikon ose mund të ndikojë në kryerjen në mënyrë të drejtë të funksionit publik.” 

Po sipas këtij ligji, personi i afërt i një zyrtari cilësohet bashkëshorti, bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë që janë kushurinjtë. Në rastin konkrret, Arbër Abazi, nipi (djali i vëllait) i deputetit socialist Sadri Abazit, është në shkallën e parë si i afërm.

Sipas transaksioneve në thesarin e shtetit, kompania Alko Impex General Construction është një nga përfitueset kryesore të fondeve publike. Përgjatë viteve 2015-2018, kjo kompani e nipit të Sadri Abazit, ka përfituar plot 1,390,011,769 lekë nga buxheti. Kjo tregon edhe njëherë, sesi një grusht njerëzish me lidhje familjare me pushtetin, janë të vetmit që përfitojnë fondet publike, edhe në shkelje flagrante me ligjin./TPZ.AL/E.H./

Vendimi i parë i KPP, i marrë në Dhjetor 2017

Vendim i dyte i KPP, i marrë në Mars 2018