AKTUALITET, 20 Mars 2020, 19:53

Koronavirusi/ Turqia bllokon 200 mijë maska për spitalet italiane

Koronavirusi/ Turqia bllokon 200 mijë maska për spitalet italiane

Italia po përjeton krizën më të rëndë në histori që prej Luftës së Dytë Botërore.

Vendi ka nevojë në mënyrë të dëshpëruar për pajisje mjekësore. Mes tyre edhe mijëra maska për punonjësit e shëndetit, por edhe për popullsinë.

Megjithatë, në mesin e kësaj krize, mijëra maska të destinuara për Italinë janë bllokuar në Turqi.

Sipas asaj që shkruan gazeta "Corriere della Sera", për dekada me radhë, prodhimi i maskave është përqendruar në vende me kosto të ulët të punës.

Në fakt deri më 10 janar, kur Italia mori dërgesën e fundit të maskave nga Kina, ato kushtonin fare pak, vetëm disa centë.

Ndërkohë në Turqi janë dhjetëra kompani që prodhojnë maska mbrojtëse, për të cilat kanë nevoje të dëshpëruar spitalet.

Dy kompani të mëdha italiane, që furnizojnë spitalet, kanë porositur dhe paguar për qindra-mijëra maska, shkruan gazeta.

Por qeveria turke i mban të bllokuara në aeroportin e Ankarasë që prej 5 marsit.

Historia nis në fund të shkurtit, kur kompania turke Comitec merr porosi nga Italia për 200 mijë maska Fpp2 dhe Fpp3.

Dërgesa e parë për në Itali duhej bërë që më 4 mars, por ajo nuk ndodh. Gjatë natës, qeveria turke urdhëron që eksportimi i këtyre pajisjeve të bëhet me një vendim qeveritar.

Kjo krijon një situatë absurde, shkruan gazeta. Shumë vende ndalojnë pagesat për kompanitë turke të pajisjeve mjekësore pasi nuk e dinë nëse dërgesat do bëhen.

Por përse kjo situatë, kur kompanitë turke mund të prodhojnë deri në 50 milionë maska në javë? Arsyeja është se Erdogan po bllokon hyrjen e eurove në vendin e tij, në një luftë të hapur që ka ndezur Turqia me Europën, teksa vazhdon pandemia.

Gazeta shkruan se edhe kryeministri Conte i ka telefonuar presidentit Erdogan për të liruar dërgesën, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur.

Nga ana tjetër, të gjendura në këtë situatë, kompanitë italiane kanë nisur vetë punën për të prodhuar maska. Tani e kanë kuptuar se nuk mund të varen nga vende të tjera, sikundër është kuptuar nevoja për të grumbulluar stok në rast krize.