BALLKAN, 17 Mars 2020, 16:01

Koronavirusi ‘qarkullon’ në vend, shtyhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Koronavirusi ‘qarkullon’ në vend, shtyhen zgjedhjet e


Maqedonia e Veriut nuk do të zhvillojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat ishin parashikuar të mbaheshin në 12 prill. Shkak për shtyrjen është bërë situata e koronavirusit, i cili është përhapur edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mediat maqedonase bëjnë me dije se pas takimit të presidenti Stevo Pendarovski me krerët e partive parlamentare është vendosur anulimi i zgjedhjeve për shkak të situatës emergjente me të cilën po përballet ditët e fundit vendi.

Përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani tha se në ditët në vijim kreu i shtetit Pendarovski do të konsultohet me kreun e Kuvendit dhe ekspertët juridikë, lidhur me arsyen ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet u vendosën të mbaheshin, pasi kryeministri aktual në ikje, Zoran Zaev dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit pas dështimit për të marrë një datë për hapjen e negociatave. Zaev, largimin e tij në rast të një “Jo-je” nga BE e kishte paralajmëruar më herët.

Deri më tani Maqedonia ka shënuar 19 të infektuar me koronavirus, ndërsa “pacientja 0” është shëruar tërësisht dhe ka dalë nga spitali.