AKTUALITET, 6 Shkurt 2019, 14:43

Korçë/ Tenton të vrasë policët, arrestohet i dehuri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë ku një person ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për të neutralizuar konfliktin e këtij të fundit me një shtetas tjetër.

Shtetasi Gani XHambazi, 69 vjeç në gjendje të dehur u konfliktua me një person tjetër, Adriatik Hysenit 47 vjeç, dhe më pas u largua në drejtim të banesës së tij për të marrë armën e zjarrit.

NJOFTIMI I POLICISË

“Më datë 05.02.2019, është marrë një telefonatë ku është kërkuar ndihma e Policisë në lagjen nr 4 në Korçë, pasi një shtetas në gjendje të dehur po konfliktohej me një shtetas tjetër, duke sjellë shqetësim tek banorët.

Menjëherë janë dërguar shërbimet e Policisë drejt adresës së dhënë, ku nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi G.Xh, 69 vjeç, në gjendje të dehur, ishte konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin A.H, 47 vjeç, të dy banues në këtë lagje duke u bërë shqetësim për banorët, ku shtetasi G.XH ishte larguar menjëherë për në banesë ku dyshohet se do merrte një armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në momentin që shërbimet e Komisariatit Korçë janë drejtuar për tek banesa e tij, 69 vjeçari u ka drejtuar armën e zjarrit automatik, duke tentuar të qëllonte në drejtim të punonjësve të policisë por fatmirësisht arma u bllokua duke mos realizuar qitjen.

Policia ka neutralizuar autorin duke bërë arrestimin e tij në flagrancë për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”. Shtetasi i lartpërmendur, rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri automatik dhe 88 copë fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit.