AKTUALITET, 19 Shkurt 2018, 12:29

Komision hetimor për Tahirin, shqyrtohet kërkesa e PD-së, Balla kërkon kohë

Komision hetimor për Tahirin, shqyrtohet kërkesa e PD-së, Balla

Konferenca e Kryetarëve në Kuvend është mbledhur për të vendosur lidhur me kërkesën e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm.

Kërkesa e PD-së u depozitua pak ditë më parë.

Në shkresën e tyre firmosur nga një numër deputetësh, kërkohet hetim i plotë për mënyrën e ndjekur lidhur me çështjen Tahiri.

Sipas PD qëllimi është kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën akuzohet ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërhyrjeve të këtyre pushteteve në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organi i prokurorisë në hetimin penal të këtij rasti, si dhe efektet që kanë ardhur nga kjo ndërhyrje e paligjshme.

Gjatë diskutimit kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh parimisht pro ngritjes së komisionit, por shtoi se projektvendimi duhet rregulluar ligjërisht.

Balla: Parimisht jemi dakord për ngritjen e komisionit hetimor por duhen bere disa riformulime me projektvendimin per ngritjen e komisionit hetimor. Kerkoj disa dite kohe qe mazhoranca te shkruaj nje projektvendim qe te jete i sakte ligjerisht dhe juridikisht.

Spaho: Mendoj se ka pasur kohe te mjaftueshme pasi ka me shume se nje jave qe eshte dorezuar kërkesa. Ne do hetojme nje ceshtje qe ka te bej me ish-ministrin Tahiri dhe nderhyrjet qe ka bere. parlamenti dhe qeveria ne kete çështje. Ju doni qe kete ceshtje te mos hetohet dhe Saimir Tahiri te dali i palagur.

Komisioni Hetimor

Objekt dhe cështjet që do të hetohen – (1) Roli, dijenia dhe përgjegjësia e Kryeministrit, anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërërore, veprimet apo mosveprimet e tyre, në parandalimin dhe ndëshkimin e fenomenit të kultivimit të kanabisit apo trafikimit të lëndëve narkotike;

(2) Arsyet e veprimeve dhe sjelljes së Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave në intimidimin e organit të prokurorisë mbi çështjen për të cilën akuzohet ish Ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri;

(3) Vlerësimi i rrethanave mbi dijeninë e Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave për veprimtarinë kriminale apo ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre shtetërore në drejtim të parandalimit të paligjshmërisë për të cilën akuzohet ish-Ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit;

(4) verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit administrativ të Kuvendit për pengimin e organit të prokurorisë që të kërkonte në gjykatë arrestimin e ish-Ministrittë Brendshëm z. Saimir Tahiri, si dhe nxjerrja e provave që perbëjnë sekret hetimor nga anëtarët e Këshillit;

(5) veprimet dhe sjellja e Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, si dhe e çdo zyrtari tjetër publik, në pengimin apo intimidimin e organit të prokurorisë që të veprojë në mënyrë të pavarur dhe paanshme në hetimin e çështjes penale ndaj ish Ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri;

(6) ndërhyrjet nga organet e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në hetimin e kësaj çështje, si dhe efektet që kanë sjellë këto ndërhyrje;

(7) evidentimi i pengesave që ka hasur organi i prokurorisë në hetimin e këtij zyrtari të lartë, nga veprime apo mosveprime të paligjshme të organeve të tjera të administratës shtetërore;

(8) ligjshmëria e ekstradimit të personit tjetër nën hetim për të njëjtën çështje dhe efektet që sjell ky ekstradim në ushtrimin e ndjekjes penale ndaj ish-Ministrit të Brendshëm;

(9) rreziqet që paraqiten për hetimin e pavarur, të shpejtë, efikas dhe të gjithëanshëm të kësaj çështje, dhe mjetet që duhet të përdoren për eleminuar në mënyrë kushtetuese dhe ligjore këto rreziqe;

(10) vlerësimi mbi nevojat e organit të prokurorisë, për burime financiare dhe njerëzore, për hetimin e plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të kësaj cështje, si dhe verifikimi nësekëto burime janë vënë në dispozicion.