TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku po prezanton projektligjin për Vettingun e policisë ka folur gjatë për çdo hallkë të këtij sistemi.
Gjatë fjalës së tij, Xhafa deklaroi se pas kësaj faze është shumë i sigurtë se në procesin e Vettingut do të futen edhe politikanët.
Ai tha se politikanët do të vettingohen për moralitetin dhe integritetin e tyre.
Më pas ai shtoi se do të futen në këtë proces të gjithë ata që kanë pasur fatet e vendit në dorë, kanë marrë vendime në emër të qytetarëve, kanë mbajtur financat.
Deklarata e plotë e Xhafës
Në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të Komisonit për Sigurinë Kombëtare, gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit për Vettingun, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se procesi duhet të shtrihet edhe për politikanët.
Ministri Xhafaj: Pyetja e parë ishte, a mund dhe duhet të përfshihet Ministri i Brendshëm në procesin e Vetting-ut? Natyrisht, nëse unë do të isha punonjës i Policisë së Shtetit, i Gardës apo SHÇBA-së, do të isha sot subjekt i këtij ligji vlerësimi. Nëse bëhet fjalë që të vetohem unë si politikan, unë vetohem sot si gjithë politikanët e tjerë, përfshirë edhe ju që jeni në këtë tavolinë.
Nëse duhet një ligj i Vetting-ut për politikanët, unë jam i pari që do ta votoja me të dy duart dhe mund t’ju jap një draft që mund ta keni në konsideratë, nëse do të ndërmerrni një inciativë të tillë.
Dhe do të ishte një gjë tejet pozitive dhe besoj që ai draft duhet të ketë të parin, si do që të jetë, që të vetohem unë i pari, meqenëse jam hartuesi i Reformës në Drejtësi, hartuesi i këtij projektligji dhe Ministër i Brendshëm për momentin në këtë detyrë, nëse kjo është e nevojshme për t’u parë si e tillë.
Kjo do të ishte një gjë shumë pozitive. Por besoj fort që në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë Reforma në Drejtësi, në mënyrën se si është konceptuar ajo, unë besoj shumë shpejt që do të kemi dhe Vetting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë.
Dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës, në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi.
TPZ.AL