AKTUALITET, 4 Korrik 2019, 13:43

Kavaja/ Meta: Të zbardhet menjëherë ngjarja, policia të marrë masat

Kavaja/ Meta: Të zbardhet menjëherë ngjarja, policia të


Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen e rëndë në qytetin e Kavajës, ku humbi jetën një qytetar dhe u plagosën katër të tjerë.

Meta ka folur për këtë ngjarje me kryebashkiakun, Isa Sakja dhe ku i ka përcjell ngushëllime familjes së qytetarit që humbi jetën.

Ndërkohë që ka bërë thirrje për hetime të menjëhershme të ngjarjes së rëndë.

REAGIM I PRESIDENTIT:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen tepër të rëndë dhe tragjike, të ndodhur sot në qytetin e Kavajës, ku një qytetar i pafajshëm humbi jetën dhe disa qytetarë të tjerë u plagosën.

Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

Presidenti Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.