BOTA, 10 Shtator 2017, 22:04

Katastrofë në Itali, 7 të vdekur dhe një i zhdukur nga përmbytjet

Moti i keq e reshje të shumta shiu kanë përfshirë gjatë natës e gjatë ditës së sotme Italinë, në mënyrë të veçantë rajonin e Toskanës.

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar shembje dheu e përmbytjen e mjaft banesave e rrugëve në qytetin e Livornos, kryesisht zonat e Collinaia e Ardenza e Montenero.

Agjensitë italiane të informacionit informojnë se moti ka shkaktuar në territorin e Livornos 7 viktima e 1 person rezulton i zhdukur, mes tyre dhe një djalë 4 vjeç.

Disa nga viktimat banonin në katin nëndhe të një ndërtese e reshjet e mëdha të shiut kanë përmbytur banesën e tyre.

Mot i keq është regjistruar dhe në qytetin e Pisas dhe në Liguria duke bërë të paqarkullueshme autostradën Firenze-Pisa-Livorno si dhe  mbylljen e linjës hekurudhore Tirrenica.

Situata vazhdon të jetë  mjaft kritike dhe në rajonin e  Lacios. Reshjet e mëdha të shiut kanë përmbytur gjatë këtyre orëve disa rrugë në territorin e  Romës e në provincën përreth.

Forcat e mbojtjes civile janë aktivizuar në të gjithë Italinë e gjatë mesditës pritet një deklaratë shtypi mbi situatën e motit të keq që ka mbërthyer vendin.

Meterologët parashikojnë që gjatë orëve në vazhdim moti i keq të përshijë dhe rajonet e Sicilia, Campania e Lazio, Marche, Abruzzo, Molise, Puglia, Basilicata e Calabria.