SPORT, 4 Prill 2021, 15:09

Kastrioti ndal Bylisin dhe konsolidon pozitat në zonën e mbijetesës

Kastrioti ndal Bylisin dhe konsolidon pozitat në zonën e

Nuk ka fitues në përballjen direkte për mbijetesën mes Bylisit dhe Kastriotit, që u mbyll në barazim 1-1, ndërsa mallakastriotët shpërdoruan një mundësi mjaft të mirë për të provuar qëndrimin në elitë në mënyrë direkte.

Sfida nisi menjëherë e vrullshme dhe Kastrioti ia doli të shënojë golin e avantazhit që në minutën e dytë. Pas një daljeje nga krahu i djathtë, Patrik Bardhi dërgoi një krosim të bukur për Prodanin në shtyllën e dytë dhe ky i fundit gjuajti menjëherë duke shënuar golin e avantazhit për krutanët.

Ballshiotët provojnë të reagojnë dhe pas një aksioni të gjatë, shërbejnë për sulmuesin Nemanja Kojic në zonë, por gjuajtja e serbit përfundon mbi kuadratin e portës.

Goli i barazimit vjen në minutën e 20-të dhe protagonist negativ është portieri i krutanëve, Isli Hidi. Gardiani 40-vjeçari mori një top nga mbrojtësit e tij dhe provoi të shmangë Ntephe, por nuk ia doli, duke i dhënë mundësi sulmuesit të mallakastriotëve të shënojë golin e barazimit me një prekje të lehtë.

Përfundimi i takimit la në fuqi barazimin 1-1, një rezultat që u shkon shumë për shtat krutanëve, të cilët ruajnë diferencën prej 4 pikësh me mallakastriotët në renditje dhe janë më të qetë sa i përket garës për mbijetesë.

Nga ana tjetër Bylis vijon t’i largohet zonës së rënies dhe blindon pozitat në vendin e tetë, që përkthehet në Play Out për mbijetesën në Superiore.