SPORT, 3 Prill 2021, 14:34

Barcelona nuk heq dorë nga Lautaro Martinez

Barcelona nuk heq dorë nga Lautaro Martinez


Barcelona nuk heq dorë nga Lautaro Martinez. Nëse drejtuesit e klubit blaugrana nuk ia dalin mbanë për të bindur norvegjezin Erling Haaland atëherë krerët e klubit të famshëm katalanas do të shënjestrojnë sulmuesin e Interit Lautaro Martinez. Për hir të së vërtetës kjo lloj zgjidhjeje nuk është se ka konsensus të plotë, por sidoqoftë në pamje të parë 23-vjecari nga Bahia Blanca duket si një alternativë më e drejtë dhe shumë më e mundshme se sa ajo e bomberit të ri norvegjez.

Në kryesinë e klubit ka ende dyshime të mëdha nëse Lautaro Martinez do të jetë pikërisht futbollisti që do t’i japë Barcelonës vazhdimësinë e nevojshme në fazën sulmuese, por gjithsesi Lauti po përmirësohet gjithmonë e më tepër dhe përmbush shumë kritere për të veshur fanellën e Barcës. Mbi të gjitha 23-vjecari argjentinas duket edhe një objektiv shumë më i lehtë, duke patur parasysh faktin që drejtuesit e Interit janë të shtrënguar për të shitur lojtarë, në merkaton e kësaj vere, natyrisht për të përmirësuar bilancet e klubit.

Prioriteti i Barcelonës mbetet përfshirja në grup e një sulmuesi të nivelit shumë të lartë për sezonin e ardhshëm dhe sigurisht sulmuesi i ri nordik i përmbush më së miri këto kushte, duke qëndruar në krye të listës së dëshirave të drejtuesve më të lartë të Barcës, sidoqoftë krerët e klubit blaugrana janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e mëdha që paraqet një operacion i tillë. Problem përbën pikërisht pozicionimi i Borusias së Dortmundit dhe dëshira e kuptueshme e drejtuesve të verdhezinjve për të mbyllur cdo telash financiar, nëpërmjet shumës së majme që pritet të përfitohet natyrisht nga shitja dhe transferimi i 20-vjecarit norvegjez, që ka lindur në Angli, në Qytetin e Lidsit.