BALLKAN, 30 September 2026, 13:52

Dënimi i 4 ish-krerëve të UÇK, Kurti: Asnjëherë nuk kam pritur drejtësi. Do shqyrtojmë pr/ligjin e PDK për Gjykatën Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të përfundojë shqyrtimi i nismës së PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Sipas Kurtit, propozimi i PDK-së është dërguar për vlerësim në zyrën ligjore të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Ministrinë e Financave. Pas marrjes së opinionit juridik dhe vlerësimit financiar, Qeveria pritet t’ia përcjellë përgjigjen Kuvendit.

“Është procedurë e rregullt. Nuk duam të bëjmë shkelje, s’kemi pse. Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë, këtë javë do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, po ashtu edhe vlerësimin financiar të buxhetit nga Ministria e Financave dhe menjëherë do ta përcjellim për Kuvend”, tha Kurti pas mbledhjes së Qeverisë.

Nisma e PDK-së synon ndryshimin e ligjit në mënyrë që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh të mund të trajtohen në Kosovë, në fazat e tjera të procedurës gjyqësore. Propozimi është bërë pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, Kurti tha se nuk e ka ndryshuar asnjëherë pozicionin e tij dhe se nuk ka pasur pritshmëri për drejtësi nga kjo gjykatë.

Ai kritikoi veçanërisht mënyrën e trajtimit të akuzës për ndërmarrjen e përbashkët kriminale, mungesën e transparencës dhe ato që i cilësoi si pasaktësi faktike e historike në vendimin e fundit.

“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se vendimi i plotë i gjykatës është shumë më i gjerë se pjesët e tij të lexuara publikisht më 16 shtator.

Kurti: Jam optimist për zgjedhjen e presidentit
Në konferencën për media, Kurti foli edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, për të cilin afati përfundimtar është 6 tetori.

Ai u shpreh optimist se mund të arrihet marrëveshje dhe tha se nevojiten takime të reja mes palëve.

“Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Do të kemi takime. Dhe shpresojmë që dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë më tej”, tha Kurti.

Sipas tij, optimizmi lidhet edhe me miratimin e deklaratës në Kuvend të hënën, e cila mori 99 vota pro.