AKTUALITET, 30 September 2026, 13:34

FOTOT/ Pastrimi i rezervuarit të Kasharajt vijon, Nufi: 49 efektivë, 11 mjete dhe 3 gomone të FA në terren

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë vijon pas ngordhjes masive të peshqve që ndodhi pas zbrazjes së ujit për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit. 

Përmes fotove ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi se Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren në mbështetje të Emergjencave Civile dhe Bashkisë së Lushnjës.

Sipas Nufit, në operacion janë përfshirë 49 efektivë, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura.

"Lushnjë - ku efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura  po angazhohen bashkërisht me strukturat bashkiake në operacionin për menaxhimin e situatës së krijuar në rezervuarin e Kasharaj.

Në mbështetje të Emergjencave Civile të Bashkisë Lushnjë, në operacion për pastrimin e rezervuarit janë angazhuar 49 forca, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e FA 

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt vijon me intensitet deri në normalizimin e plotë të situatës së krijuar" shkruan Nufi. 

Ndërkohë, situta e rëndë erdhi pasi Bashkia e Lushnjës zbrazi rezervuarin për të kryer punime rikonstruksioni në portën dalëse, çka la pas vetëm baltë dhe shkaktoi ngordhjen masive të peshqve.