TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kapiteni Xhoshua Kimish ka evidentuar ndryshimet e para që priten të sjell në kombëtaren gjermane trajneri i ri, Jurgen Klop. “Besoj se gjithçka lidhet kryesisht me mentalitetin, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj, por edhe brenda grupit. Për ne do të jetë e rëndësishme të rigjejmë ADN dhe identitetin tonë. Ky identitet shfaqet në fushë, jashtë saj, në sytë e publikut dhe brenda grupit. Ai tregohet në mënyrën se si sillemi me njëritjetrin, si luftojmë për njëri-tjetrin në fushë dhe si komunikojmë brenda dhe jashtë saj”, deklaroi futbollisti i Bajernit.
Kimish foli edhe për pritshmëritë e Klop ndaj tij si kapiten. “Gjithmonë pritet performancë, por këtë e pres edhe nga vetja. Gjithashtu, bëhet fjalë për ta ndihmuar skuadrën të rikthehet aty ku e ka vendin dhe ku ka potencialin dhe talentin për të qenë.” Kimish tha se pasardhësi i Julian Nagelsman është “jashtëzakonisht i motivuar për këtë detyrë” në DFB dhe se “të punosh për Gjermaninë do të thotë shumë për Klopin”. “Ai sjell shumë energji, entuziazëm dhe shumë dëshirë. Tani, sigurisht, duhet të arrijmë ta përcjellim këtë energji te skuadra dhe ta bëjmë të dukshme në rezultate.” Klopi mori drejtimin e kombëtares pas zhgënjimit të fundit në Kupën e Botës këtë verë. Për të tretën herë radhazi, Gjermania nuk arriti të kalonte fazën e grupeve në një turne madhor. Kimish ishte pjesë e skuadrës në të tria rastet. “Për mua, ishte eliminimi më i vështirë”, shpjegoi 31 vjeçari.
“Ndodhi për të tretën herë, këtë radhë në një rol tjetër. Për këtë arsye, më goditi edhe më shumë. Mu desh kohë për ta përpunuar dhe për ta pranuar atë që ndodhi.” Kimish shtoi: “Duke parë pas, këto tri eliminime nga Kupa e Botës janë pjesë e karrierës sime. Nuk mund ta zhbësh atë që ka ndodhur. Por mund të sigurohesh që në të ardhmen gjërat të shkojnë ndryshe. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ua rikthyer gëzimin njerëzve.”