TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ka përcjellë mesazhe të forta për mënyrën e qeverisjes së futbollit dhe sfidat me të cilat përballet sporti, gjatë fjalimit të tij në edicionin e dytë të “Portugal Football Summit”. Eventi, i organizuar nga Federata Portugeze e Futbollit, u hap nga presidenti i saj, Pedro Proença, ndërsa në aktivitet mori pjesë edhe kreu i UEFA-s. Në fjalën e tij, Ceferin foli për nevojën e bashkimit dhe mbrojtjen e parimeve mbi të cilat duhet të funksionojë futbolli, duke bërë edhe disa aludime të drejtpërdrejta, ndonëse pa përmendur emra, për përplasjet në nivelet më të larta të drejtimit të këtij sporti.
“Bukuria dhe traditat e kësaj loje na bëjnë të gjithëve të jemi shërbyesit e saj. Futbolli u përket njerëzve që e luajnë dhe që i dedikojnë të gjithë jetën e tyre. Bashkimi i perspektivave tona të ndryshme është e vetmja formë për të përballuar sfidat e futbollit dhe për t’u rritur”, deklaroi Ceferin.
Më tej, presidenti i UEFA-s theksoi se jo të gjithë drejtuesit e vendosin interesin e futbollit mbi ambiciet personale.
“Megjithatë, jo e gjithë bota vendos futbollin mbi ambiciet personale. Besimi te sporti ynë bazohet në tri shtylla: uniteti, transparenca dhe qeverisja në shërbim të shumicës dhe jo pakicës”, u shpreh ai. Ceferin vijoi kritikat duke thënë se këto parime janë cenuar së fundmi nga persona që, sipas tij, kishin marrë përsipër t’i mbronin. “Kohët e fundit këto tri shtylla u zhvlerësuan nga personat që janë betuar se do t’i mbronin. Projekti që tronditi unitetin e futbollit mund të jetë braktisur, por besimi u thye dhe nuk u rikuperua. Tani është detyra jonë që ta riparojmë”, tha kreu i UEFA-s.
Në fund, Ceferin përsëriti një nga mesazhet që UEFA, sipas tij, e ka përcjellë prej vitesh: “Futbolli nuk është në shitje”. Ai shprehu bindjen se takimi në Portugali do të ndihmojë në forcimin e këtij mesazhi. Deklaratat e Ceferinit erdhën vetëm pak orë pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u kishte shprehur 211 federatave kombëtare gatishmërinë për të diskutuar reforma në organizatën që drejton.
“U kam thënë se jam plotësisht i gatshëm të diskutoj për reforma në FIFA. Kam paraqitur dy propozime që synojnë të garantojnë vazhdimësinë e një qeverisjeje të qëndrueshme të FIFA-s”, kishte deklaruar Infantino. Ai gjithashtu bëri të ditur se do të konsultohej me Këshillin e FIFA-s për mundësinë e ngarkimit të një strukture të posaçme që do të kryente një rishikim të situatës.
Në këtë kontekst, fjalimi i Ceferinit në Portugali vjen në një moment kur drejtuesit e futbollit evropian dhe atij botëror kanë shfaqur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën e qeverisjes dhe reformat e mundshme në FIFA.