SPORT, 23 September 2026, 17:26

ZYRTARE/ Kolapsi i dytë në fushë, Kristian Eriksen merr vendimin për të ardhmen

ZYRTARE/ Kolapsi i dytë në fushë, Kristian Eriksen merr vendimin

Kristian Eriksen ka vendosur të largohet nga klubi i Volfsburg në Bundesligën 2 dhe tashmë gjithçka është zyrtare. Futbollisti dhe klubi kanë njoftuar për prishjen me mirëkuptim të marrëveshjes mes tyre, që duhej të përfundonte në mbyllje të këtij sezoni.

“Për momentin është e rëndësishme që të qëndroj pranë familjes time në Danimarkë dhe jam i lumtur që arritëm që të gjenim një zgjidhje së bashku. Koha ime në Volfsburg kishte pikë të larta dhe të ulëta. E di që klube është në duar të mira dhe do të kthehet përsëri në Bundesligë”, ishin fjalët e Eriksen pas publikimit të lajmit se futbollisti danez largohej nga skuadra ku në sezonin e kaluar kishte luajtur 34 ndeshje duke shënuar 3 gola e dhënë 10 asiste.

Eriksen pësoi një kolaps në miqësoren mes Danimarkës dhe Ukrainës në qershor dhe gjatë kësaj periudhe kishte qenë në fazë rehabilitimi. Pesë vite më parë, ai pësoi një atak kardiak në fushë gjatë ndeshjes së Europianit ndaj Finlandës.

Është e paqartë nëse danezi do të tentojë të kthehet përsëri në fushën e lojës apo jo, pas këtij incidenti të dytë, ku hyri në funksion defibrilatori që ka vendosur në zemër pas kolapsit të parë.