SPORT, 23 September 2026, 21:06

Tre ditë para sfidës me Bjellorusinë/ Kombëtarja e drejtuar nga Maran stërvitet pa dy futbollistë

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur sot ditën e tretë të përgatitjeve për sezonin e ri të Ligës së Kombeve, teksa të shtunën do të zbresë në fushë për përballjen e parë kundër Bjellorusisë në “Air Albania”.

Ndryshe nga një ditë më parë, kuqezinjtë, nën drejtimin e Rolando Maran, janë stërvitur me mungesën e Kristjan Asllanit dhe Klisman Cakes.

Kristjan Asllani ka kryer stërvitje të diferencuar për rikuperim muskulor, por sipas stafit mjekësor nuk ka asgjë serioze.

Ndërsa Klisman Cake, gjatë stërvitjes së djeshme, ka ndjerë një shqetësim në kofshën e majtë. Rezonanca magnetike ka përjashtuar mundësinë e dëmtimit muskulor. Futbollisti ka nisur një program fizioterapie në Klinikën e Kombëtares dhe po monitorohet nga stafi mjekësor.

Pjesa tjetër e ekipit fillimisht u ushtrua në palestër, ndërsa më pas e zhvendosi punën në fushë, ku fokusi kryesor ishte te aspekti taktik.

Nga lista e shpallur me 29 futbollistë nga Maran, me Kombëtaren mungojnë për shkak dëmtimi Qazim Laçi, Adrion Pajaziti dhe Ivan Balliu, ndërsa janë zëvendësuar me Feta Fetain dhe Klevi Qefalijan.

Pas sfidës me Bjellorusinë, më 29 shtator kuqezinjtë luajnë në transfertë kundër San Marinos, si dhe më 3 shtator, po në transfertë, kundër Finlandës.

Ndeshja e katërt do të jetë në Tiranë, më 6 shtator, kundër San Marinos.