AKTUALITET, 9 Janar 2018, 13:40

Kandidatura e Ardi Veliut dhe problemi ligjor për të zëvendësuar Haki Çakon

Kandidatura e Ardi Veliut dhe problemi ligjor për të

Ardi Veliu drejton policinë e Tiranës që nga prilli i vitit të shkuar, kur me një të rënë të lapsit, Fatmir Xhafaj shkarkoi nga detyra 33 shefa të policisë. Burime thanë se Veliu është përzgjedhur nga Fatmir Xhafaj për një promovim tjetër këto ditë, për zëvëndësimin e Haki Çakos.

Ardi Veliu nuk njihet si pjesë e klanit Tahiri-Çako në polici. Mungesa e eksperiencës në kupolën drejtuese të policisë vitet e fundit do t’i bënte nder çdo polici, po të kihet parasysh keqpërdorimi që iu bë nga biznesi i drogës.

Por në rastin e kandidaturës së Ardi Veliut për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, mungesa e eksperincës kthehet në një problem.

Në kriteret që duhet të përmbushen për të qenë Drejtor i Përgjithshëm në pikën b) të ligjit, thuhet që kandidati duhet “të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit”.

Ardi Veliu nuk e plotëson këtë kusht, ose më saktë pjesën e dytë të tij që thotë se kandidati duhet të ketë 10 vjet eksperiencë në pozita të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Mjafton t’i hedhësh një sy posteve që ka mbajtur më parë Ardi Veliu. Në jetëshkrimin e tij në faqen zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranë karriera e Veliut paraqitet si më poshtë:

Karriera profesionale:

Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999)

Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002)

Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004)

Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006)

Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014)

Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015)

Drejtor i Kolegjit te Policise (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016

Drejtor i Policise Rrugore ne Drejtorine e Policise se Shtetit 29.07.2016 – 27.04.2017

Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorise Vendore te Policise Tirane.