TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, ka dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak lidhur me qëndrimin e tij në takimin e zhvilluar në Kuç me kryeministrin Edi Rama, ku u diskutua Reforma Territoriale.
Gorrea deklaroi se takimi ishte i mbyllur, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij për ruajtjen e Bashkisë Divjakë nuk ka ndryshuar.
“Ishte një takim i mbyllur. U diskutua gjatë e gjerë si grupim politik, që unë e quaj një hap të madh përpara. Shprehëm secili mendimin e tij. Kryeministri i vendit e la të hapur bisedën. Secili të shprehë mendimin e tij të pastër. Disa kryetarë, të emocionuar e të nxituar, ia ndërprisnin fjalën, sikur ka ndodhur dhe këtu te ne”, tha Gorrea.
Ai theksoi se edhe në atë takim ka shprehur vetëm qëndrimin e tij dhe se nuk ka pasur detyrim të flasë në emër të të tjerëve.
“Po flas me pastërti për çfarë ka ndodhur. Edhe në atë takim, nuk kisha detyrim të shprehem për të tjerët, por për veten time. Qëndrimi im ka qenë i pastër. Nuk ka ndryshuar në asnjë moment nga ajo që kam deklaruar. Edhe në atë takim e mbrojta fort idenë se pse Bashkia Divjakë duhet të qëndrojë”, u shpreh kryebashkiaku.
Gorrea tha se gjatë takimit ka evidentuar edhe disa mospërputhje në materialet e Komisionit të Maznikut.
“E para, te Komisioni i Maznikut ka disa mospërputhje. Kapa disa gabime që do t’jua bëj me dije edhe ju. E dyta, bëra një krahasim Lushnjë-Divjakë. Ndoshta Komisioni, në atë citat, i referohet faktit që ne bëmë një mbledhje ku kemi qenë të pranishëm”, tha ai.
Në vijim, kryebashkiaku i Divjakës u ndal edhe te deklaratat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste lidhur me ndryshimet në qarkun e Fierit.
“Në atë takim, përsëri, ju ndoshta e keni parë edhe në media, përfaqësues të lartë të PS-së u shprehën qartë se nuk do të ketë ndryshime në qarkun e Fierit. Mbrojta fort faktin që kam qenë jo i informuar. Radhita atë që thashë më sipër”, përfundoi Gorrea.