TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndeshja e madhe në “Allianz Stadium”, mes Juventusit dhe Interit, do të jetë në rendin e parë të ditës së sotme. Kemi të bëjmë edhe me një përballje mes dy trajnerëve, Massimiliano Allegri dhe Luciano Spalletti, dhe 2 mënyra të ndryshme të të të kuptuarit të futbollit. Më të përgatitur për teknikën individuale janë bardhezinjtë, ndërsa me cilësi më të mira fiziko-atletike shfaqen zikaltrit. Por, duke pasur parasysh formën e shkëlqyer të rivalëve, në këtë përplasje të drejtpërdrejtë Allegri synon të nisë një “trajnim më fizik” se zakonisht, duke bërë disa rregullime të zakonshme në formacion. Sakrifica e madhe me siguri do të jetë Paulo Dybala.
“Joya” nuk po kalon një moment të madh të formës sportive dhe në vend të tij, Allegri preferon të vendosë një “corazziere” si Mario Mandzukic, së bashku me njërin mes Cuadrado dhe Douglas Costa, pas Gonzalo Higuain, në ofensivën e tij të modulit 3-4-2-1. “Për Paulon duhet të vendos. Jam në dilemë nëse do të luaj me 2, me 3 ose 4 përpara, gjë për të cilën nuk kam vendosur, – tha Max në një konferencë për shtyp. – Kam një grimë konfuzioni në kokën time. Dybala ishte i rëndësishëm në fillim të sezonit, është i rëndësishëm edhe tani. Eshtë një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, një nga më teknikët që kemi. Nuk është shqetësuese koha më e bukur që është duke kaluar. Gjëja e rëndësishme është fokusi për të punuar, për të gjetur gjendjen optimale, për të rifilluar t’i përsërisë gjërat që mund të bëjë”.
Pasi ka qëndruar për t’i parë shokët e tij nga stoli në Ligën e Kampionëve, në Athinë, ku fitorja i dha “Zonjës së Vjetër” kualifikimin për në fazën eliminuese direkte të Ligës së Kampionëve, duket se do t’ia lërë vendin kroatit Mandzukic, i cili duket se i ka “asgjësuar” problemet e tij fizike. Ka ardhur koha për ta parë atë sërish në skenë, ndërsa në stol do të jetë Dybala, që do të mbushet me frymë, të rikuperojë forcat dhe të rifitojë pak nga shkëlqimi i humbur në periudhën e fundit. Dybala nuk do të jetë i vetmi lojtar i përjashtuar, nga ata të shkëlqyeshmit, në formacionin e bardhezinjve. Në mesfushë pritet të jetë i sakrifikuar Sami Khedira. Në vend të tij do të luajë një veteran i derbit të Italisë, si Claudio Marchisio, në të kaluarën shpesh protagonist kundër zikaltërve.
