AKTUALITET, 14 August 2026, 14:08

Ishte në “arrest shtëpie” për vjedhje, por nuk u ndalet me krimet! I riu grabit 8 biznese brenda një jave

Një 20-vjeçar, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për vjedhje, është arrestuar pasi dyshohet se ka thyer masën dhe ka kryer vjedhje në 8 subjekte të ndryshme brenda vetëm një jave.

Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Multiple”, pas hetimeve të nisura mbi bazën e kallëzimeve të disa qytetarëve për vjedhje në subjektet që kishin në pronësi ose administrim.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me komisariatet në territoret ku kishin ndodhur vjedhjet, zbardhën 8 raste dhe identifikuan autorin e dyshuar, shtetasin O. H., 20 vjeç. Sipas policisë, gjatë periudhës 5–13 gusht 2026, i riu dyshohet se ka vjedhur para dhe produkte në tetë subjekte.

Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se 20-vjeçari ishte tashmë nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar pikërisht për një veprimtari të ngjashme kriminale. Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse i riu është përgjegjës edhe për vjedhje të tjera të kryera në Tiranë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.