TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 62-vjeçare Albert Riska, profesori i shquar i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Lajmin e kobshëm e ka bërë të ditur vetë universiteti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kanë bërë me dije se Prof.as. dr Albert Riska është ndarë nga jeta ditën e djeshme, teksa ka shprehur ngushëllimet për familjarët, të afërmit, kolegët, studentët dhe këdo tjetër që e njohën profesorin.
Ceremonia e mortore e përcjelljes së profesorit për në banesën e fundit do të zhvillohet këtë të premte, në orën 15:00.
Kontibuti i Albert Riskës për Universitetin e Elbasanit, por edhe për kërkimet gjuhësore është i paçmueshëm. Ai la pas një vepër të çmuar në gjuhësinë historike, etimologji, onomastikë dhe studimet arumune.
Kush ishte Albert Riska?
Albert Riska lindi më 8 shtator 1963. Studimet për Gjuhë-Letërsi i kreu në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, me të cilin lidhi gjithë jetën e tij akademike. Pas një përvoje të shkurtër si mësues, nisi punën si pedagog dhe për më shumë se tri dekada dha mësim e zhvilloi kërkimin shkencor në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Në vitin 2004 fitoi gradën “Doktor i shkencave”, ndërsa në vitin 2013 titullin “Profesor i Asociuar”.
Për afro dy dhjetëvjeçarë mbajti edhe detyra drejtuese në Universitetin e Elbasanit, si përgjegjës seksioni e departamenti dhe, në vitet 2016–2022, si dekan i Fakultetit të Shkencave Humane. Ai ishte gjithashtu sekretar i Këshillit Botues dhe redaktor i Buletinit Shkencor UNIEL.
Një vend të rëndësishëm në veprën e tij shkencore zunë edhe arumanishtja dhe marrëdhëniet arumuno-shqiptare, të trajtuara edhe në monografinë "Arumunët - shënime për gjuhën dhe kulturën" (2005). Ndër veprat e tij është edhe libri “Shqipja dhe Krishterimi”, ku trajtohen lidhje mes gjuhës shqipe, historisë dhe përhapjes së krishterimit në hapësirat ilire, duke u mbështetur edhe në materiale të mbledhura gjatë ekspeditave gjuhësore.
“Krahas veprimtarisë shkencore, ishte bashkautor tekstesh shkollore, përkthyes dhe redaktor. Me "Shqipja e qeshur" (2018) solli edhe një përmasë tjetër të marrëdhënies së tij me gjuhën.