AKTUALITET, 14 August 2026, 10:37

Sezoni turistik/ Emigrantët shtojnë çështjet juridike, problematikat lidhen kryesisht me qarkullimin rrugor

Ardhja e emigrantëve dhe fluksi i turistëve gjatë sezonit veror reflektohet edhe në sistemin e drejtësisë. Rritja e ndjeshme e numrit të qytetarëve dhe automjeteve në qarkullim gjatë kësaj periudhe shoqërohet edhe me çështje të ndryshme juridike.

Një pjesë e problematikave lidhen kryesisht me qarkullimin rrugor, por nuk mungojnë edhe çështje të tjera për të cilat emigrantët kërkojnë zgjidhje gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje.

 “Këtë fenomen duhet ta shohim në dy aspekte. Aspekti numër një që të gjithë ata emigrantë të cilët vijnë vetëm një herë në vit apo një herë në disa vite dhe zgjedhin që të vijnë në Shqipëri gjatë muajit gusht, kërkojnë shërbimin e avokatisë për të zgjidhur problematikat e tyre që mund t’i kenë ndër vite të pazgjidhura.

Ardhja e emigrantëve sjell për pasojë dhe shumë turistëve që po shohim sjell për pasojë rritjen e problematikave dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor apo edhe veprave penale në këtë fushë”, deklaroi Anton Kosteri, Kryetar i Dhomës së Avokatisë Shkodër.

Megjithatë, pavarësisht fluksit të shtuar të emigrantëve dhe turistëve, gushti konsiderohet përgjithësisht një periudhë më e qetë për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Kjo lidhet edhe me periudhën e pushimeve dhe reduktimin e aktivitetit në institucionet e drejtësisë.

“Të vetmet veprime administrative dhe gjyqësore që kryen përgjatë kësaj periudhe janë çështjet me karakter shumë të ngutshëm që janë masat e sigurimit të arrestit, shuar e masave të sigurimit, pra përfundimet e dënimeve të personave të arrestuar dhe të dënuar”, shtoi Kosteri.

Me përfundimin e periudhës së pushimeve dhe rikthimin e institucioneve në aktivitetin normal, pritet të rifillojë edhe me intensitet më të lartë trajtimi i çështjeve dhe procedurave juridike.