TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të hënën, Jülide Yazici, mësuesja turke e cila u arrestua në Shqipëri për qëllime ekstradimi, do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit, ku do të ankimojë masën e sigurisë “arrest me burg” që u caktua ndaj saj.
Aktivistja do të synojë përmes avokatit që të lirohet në arrest shtëpie derisa të përfundojnë procedurat e ekstradimit.
Aktualisht ajo ndodhet në burgun e grave në Pojskë të Pogradecit.
Mësuesja turke, refugjate politike në Francë, mbërriti për një javë pushime në Shqipëri, ku dhe u arrestua mbi bazën e një njoftimi të kuq të Interpolit të kërkuar nga Turqia dhe tashmë rrezikon ekstradimin. Rasti i saj ka shkaktuar mobilizim në Francë për të penguar ekstradimin tek autoritetet turke.
VENDIMI
Konkretisht, nga aktet pjesë e fashikullit hetimor rezulton se: Me datën 04.08.2026, shërbimet e policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas, kanë kryer arrestimin e shtetases Turke, Julide Yazici, e bija e Serif dhe Birgul, e datëlindjes 24.08.1994, lindur në Izmir Kocaeli, Turqi, për shkak se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore Turke.
Ky arrestim është kryer pasi shtetasja e sipërcituar, është shpallur në kërkim ndërkombëtar (kartelë kuqe) pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e Stambollit, me vendimin Nr.2016/122 ESAS 2017/175 KARAR, datë 08.11.2025, e ka dënuar me 4 vjet e 2 muaj burgim (mbetur për të kryer 3 vjet 5 muaj e 22 ditë burg), për veprat penale, “Dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal të Turqisë.
Rezulton se nëpërmjet shkresës Nr.16492K1 prot., DKB datë 05.08.2026, Drejtoria e Interpolit pranë Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka njoftuar Prokurorinë e Përgjithshme për arrestimin e mësipërm duke i dërguar Raportin Individual të kërkimit dhe informacionin e DVP Tiranë lidhur me arrestimin.
Nëpërmjet shkresës datë 06.08.2026 Prokuroria e Përgjithshme këtë praktikë ja ka dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në këto kushte, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë pasi ka verifikuar kushtet paraprake të ekstradimit, parashtron kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestit provizor si dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues…