TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” Merita Aliun, e cila është njëra prej grave të kthyera nga Siria në Kosovë në muajin prill të këtij viti. Ajo u dënua me 2 vjet e gjysmë burgim me kusht.
“Është dënuar me dënim me kusht prej dy vjetësh e gjysmë, pra në periudhën tjetër trevjeçare të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale”, tha avokatja mbrojtëse, Leonora Dervishaj – Pacolli.
Pas kthimit në Kosovë, Aliu e ka pranuar fajësinë dhe ka thënë se është penduar që ka shkuar në Siri. “Edhe në intervistën e parë që e ka pasur, edhe në gjykatë, nga fillimi është shprehur e penduar që ka shkuar atje”, tha për Radio Evropa e Lirë avokatja Leonora Dervishaj – Pacolli.
Aliu, si dhe gratë e tjera të kthyera nga Siria, kanë shkuar në periudha të ndryshme atje dhe kanë qëndruar derisa institucionet e Kosovës kanë organizuar një operacion të koordinuar me akterë ndërkombëtarë për kthimin e tyre. Në muajin prill të këtij viti, institucionet e Kosovës kthyen në Kosovë 110 kosovarë, duke përfshirë, 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Pas arritjes në territorin e Kosovës, katër luftëtarët e huaj u arrestuan menjëherë ndërkohë që ndaj të 32 grave filluan hetimet. Pas marrjes në pyetje, atyre iu caktua masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, disa nga 74 fëmijët, të hënën, më 2 shtator, filluan mësimin në institucione të rregullta shkollore. /Rel/