AKTUALITET, 3 Shtator 2019, 13:18

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit”, reagon Meta: Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit”, reagon


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pasi Komisioni i Ekonomisë hodhi poshtë katër dekretet e tij për katër ligje të rëndësishme që i kishte kthyer Kuvendit, ndërkohë që është mbledhur edhe Komisioni Hetimor për shkarkimin e tij.

Kreu i Shtetit ka kujtuar 18 tetorin, ditën kur do të jepet edhe vendimi për çeljen e negociatave dhe thekson se propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për hapjen e tyre.

Sipas Metës, spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës dhe nënvizon se respektimi i Kritereve të Kopenhagenit është i pashmangshëm.

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë.

Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj.

Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende nga BE, ndaj respektimi i tyre është i pashmangshëm nëse ka mbetur sadopak vullnet politik për çeljen e negociatave ne 18 tetor. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!”, shkruan Meta.