AKTUALITET, 3 Shtator 2019, 13:07

600 familje të Gjoricës pa mjek, banorët: Derisa të shkojmë në Shupenzë kemi vdekur

600 familje të Gjoricës pa mjek, banorët: Derisa të


Ndërsa spitalet vuajnë mungesën e specialistëve, shumë fshatra në Bulqizë po vuajnë mungesën e mjekëve të përgjithshëm.

600 familje në Gjoricë prej dy vitesh detyrohen të udhëtojnë drejt Bulqizës, çka në rastin më të mirë është kosto, ndërsa për urgjencat do të thotë rrezik për jetën.

Rreth 600 familje të fshatit Gjoricë në Bulqizë thonë se prej gati dy vitesh nuk kanë as mjek të përgjithshëm për shërbimet minimale shëndetësore.

Për një vizitë ata duhet të udhëtojnë drejt Shupenzës ose Bulqizës në rast se edhe aty nuk e gjejnë mjekun.

Në rastin më të thjeshtë kjo do të thotë kosto ekonomike për banorët ndërsa në rastin më ekstrem rrezik për jetën.

"Nuk kemi një doktor për tu vizituar. Më pas një urgjencë duhet të shkojmë në Shupenzë, derisa të shkojmë në Shupenzë kemi vdekur", tha një banor.

Në Qendrën Shëndetësore të fshatit, në shërbim të banorëve është vetëm një infermier, i cili mund tu japë vetëm shërbime bazike.

Për banorët kjo nuk është aspak e mjaftueshme.

"Gjorica është me shumë familje, duhet doktori".

Mungesa e mjekëve në fshatra është problem në disa njësi administrative në Bulqizë, ndërsa në spitalet ka mungesa të mjekëve specialistë.

/Ora News