AKTUALITET, 11 Mars 2021, 09:36

Ishte dënuar me 10 vite burg për prostitucion në Itali, arrestohet 46 vjeçari

Ishte dënuar me 10 vite burg për prostitucion në Itali,

Eduart (Artan) Haxhi, 46 vjeç, është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, nën akuzën e prostitucionit.

Haxhiu është dënuar me 10 vjet e 4 muaj burgim nga gjykata italiane, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Shtyrje për prostitucion në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas shqiptar i dënuar nga autoritetet italiane. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale” në Drejtorinë Vendore e Policisë Elbasan dhe Interpol Tirana, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Eduart (Artan) Haxhi, 46 vjeç, banues në Elbasan.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, në datën 04.03.2008, e ka dënuar me 10 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Shtyrje për prostitucion në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit Tiranë.