AKTUALITET, 10 Mars 2021, 22:41

Meta: Demokracinë e ka kapur koncepti i partisë-shtet. Autorët e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës, kandidatë për deputetë në Vlorë, Tiranë, Durrës e Dibër

Meta: Demokracinë e ka kapur koncepti i partisë-shtet. Autorët e


Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi nga Fieri mbrëmjen e sotme se demokracinë në Shqipëri e ka kapur koncepti i partisë-shtet përmes kapjes së të gjitha institucioneve.

Ai tha se për këtë arsye, janë vendimtare zgjedhjet e 25 prillit për një restart të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të garantimit të të drejtave kushtetuese që cenohen çdo ditë.

“Të mos lejojmë më që autoritarizmi të bëjë një hap përpara sepse një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë. Që të parandalojmë një gjë të tillë duhet të mbrojmë sistemin duke reaguar sa herë preket e drejta dhe liria e çdo qytetari”, u shpreh Meta.

Presidenti  deklaroi më tej se ka fituar në çdo betejë me mazhorancën dhe këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni i Venecias.

“Nëse do kishim pasur Reformë dhe jo Ramaformë në Drejtësi, autorët e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës nuk do të ishin sot kandidatë për deputetë në Vlorë, në Tiranë, në Durrës apo edhe në Dibër”, u shpreh ai.

Kreu i Shtetit tha më tej se nuk pret të kemi zgjedhje të standardeve daneze në një vend ku qeveria prish Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe ndryshon Kushtetutën me një Kuvend që të gjithë shqiptarët e dine se çfarë përfaqëson.

Meta i konsideroi zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhjet më të rëndësishme në 100 vitet që vijnë, që nga Kongresi i Lushnjës.

“Unë kam besim te demokracia. Çdo qytetar te kutia e votimit do votoje te jete në paqe për familjen e tij, për fëmijët dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Si mundet të kesh prioritet në periudhë pandemie të ndërtosh tunelin e Llogarisë, dhe jo si të rritësh ekonominë apo bujqësinë, të luftosh varfërinë dhe të ndalësh shpopullimin

Shikoni sa kemi dhënë ne për pandeminë, shikoni sa kanë dhënë vendet e tjera, sepse ne kemi investuar vetëm për zhvillimin e PPP-së.

Këto nuk janë zgjedhje të rëndësishme për 4 vitet, por për 100 vitet që vijnë dhe kjo duhet të kuptohet qartë nga të gjithë. Asnjë qytetar nuk ka të drejtë nesër të ankohet për qeverinë dhe për Parlamentin në rast se nuk shkon në votime për të zgjedhur dhe për të ndëshkuar këdo që i ka gënjyer, këdo që i bën presion apo tenton t’i blejë votën”, deklaroi më tej Meta.