AKTUALITET, 31 Dhjetor 2018, 14:21

Ish-drejtuesi i lartë i policisë: Grupet kriminale kanë shtrirë tentakulat në çdo qelizë të administratës

Ish-drejtuesi i lartë i policisë: Grupet kriminale kanë

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim Arjan Hoxha, i ftuar në Fax news, ka analizuar situatën aktuale në vend, ku krimi sipas tij është përhapur në çdo cep.

Sipas tij, “Jo vetëm Elbasani është një nga Qarqet problematike, por kemi Shkodrën, Vlorën, Durrësin, Tiranën, kemi të gjithë Shqipërinë, ku grupet kriminale veprojnë. Ata kanë mënyra të sofistikuara të ndërveprimit”.

Më tej ai tha se po bëhen larje hesapesh për pazaret e drogës dhe duket sikur policia nuk ka informacion paraprak.

Në vijim të intervistës në studio, Hoxha lëshoi një deklaratë të fortë, kur tha se, “Grupet kriminale kanë shtrirë tentakulat e tyre në çdo qelizë të administratës, të ekzekutivit etj. Ata influencojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në emërimin e punonjësve të policisë në pikat kyçe ku u duhet atyre.

Kemi rastin e Vlorës, ku thuhet se kemi vetëm njerin që na prish punë, ndërsa të tjerët i kanë të gjithë të tyre. Unë absolutisht i besoj këto përgjime”.

Duke u ndalur tek ngjarja e Elbasanit, ai sulmoi ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ku tha se ndonëse kishte ndodhur ngjarja e rëndë, ministri fliste për bastet.

“Kemi rastin e fundit në Elbasan, ku ministri aktual i Brendshëm, interesohet më shumë për bastet sesa ngjarje të tilla. Ai duhet të kërkonte llogari për ngjarjen e jo të merrej me bastet”, – tha Hoxha.