AKTUALITET, 31 Dhjetor 2017, 13:50

“Ikja e Sheraton nga Shqipëria, për shkak të Sulltanit të Zululandit”

“Ikja e Sheraton nga Shqipëria, për shkak të Sulltanit

Kryetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ai është shkaktari kryesor i largimit të Sheraton nga Shqipëria. “Në Shqipëri nuk ka vend për investitorë që duan të veprojnë sipas rregullave të drejta të tregut. Asnjë prej tyre nuk do të mbijetonte dot në këtë xhungël ku mbrohen vetëm interesat e miqve të kryeministrit”, shkruan Kokëdhima në një postim të tij në rrjetin social Facebook.

STATUSI I PLOTË

Sheratoni largohet nga Shqipëria

 

Ikja e Hotel Sheraton është një dëshmi e politikave të dështuara që po ndjek qeveria. Rrënimi i ekonomisë, rritja e barrës fiskale dhe pabarazia e trajtimit të operatorëve në treg po i detyron bizneset të dalin në shitje, ose të largohen fare nga Shqipëria, siç ndodhi dje me zinxhirin ndërkombëtar në fjalë.

Qeveria godet biznesin e vogël dhe e fut në skemën e TVSH-së, rrit taksën e pronës për të gjithë shqiptarët dhe ushtron presion mbi bizneset në emër të aksionit anti-informalitet. Ndërkohë, miqtë e Kryeministrit fitojnë koncesione shumë milionëshe, lënë pa paguar deri në e mbi 60 milionë euro taksa dhe përfitojnë favore të tjera pa fund.

Largimi i Sheraton në momentin kur qeveria prezantoi lehtësitë fiskale për hotelet me 5 yje është mjaft kuptimplotë. Të gjithë e dinë se këto favore, kryeministri i ka vetëm për miqtë e tij, pasi i ka dhënë vetes të drejtat e Sulltanit të Zululandit dhe statusin special për hotelet me 5 yje e jep Këshilli i Ministrave, dmth po ai vetë!

Në Shqipëri nuk ka vend për investitorë që duan të veprojnë sipas rregullave të drejta të tregut. Asnjë prej tyre nuk do të mbijetonte dot në këtë xhungël ku mbrohen vetëm interesat e miqve të kryeministrit.

ZGJIDHJA do të krijojë mjedis ekonomik me konkurrencë të drejtë e rregulla të qarta loje. Me ZGJDHJA-n do të marrin fund favoret për bizneset që bëjnë fitime vetëm për shkak të lidhjeve të tyre korruptive me qeverinë. ZGJIDHJA do të promovojë bizneset e ndershme, që do të ushtrojnë aktivitet në një mjedis të barabartë për të gjithë.