AKTUALITET, 19 Gusht 2018, 23:15

Igli Tare: Më të lehtë e kam si futbollist, ja si i zgjedh talentet e reja

Igli Tare: Më të lehtë e kam si futbollist, ja si i zgjedh
Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cilësuar edhe nga shumë media si një nga më të mirët në Seria A, në një intervistë për Zona Gol në Supersport, foli për ndeshjen e parë të ekipit të tij, në humbjen me Lacion, ku ishte i zhgënjyer.

I mërzitur nga humbja e Lacios?

Ta fillosh me humbje nuk besoj se do jesh i gëzuar. Nuk ishte e pritshme, por erdhëm me shumë probleme në këtë ndeshje. 3 lojtarë i patëm të skualifikuar. Dëmtime edhe si Lukaku apo Berisha. Edhe 3-4 lojtarë të kthyer nga Botërori, dhe kanë afro 2 javë stërvitje me skuadrën. E rëndësishme është që skuadra është aty, por kjo humbje do të jetë një eksperiencë për të mos u përsëritur më. Ishin disa minuta dje, ku ekipi pati “blackout”. Duhet të jemi të kujdesshëm, dhe të shohim përpara, pasi skuadra ka kualitet.

Ka kaluar mërzitja e lacialëve, për humbjen në javën e fundit me Interin që nuk kapët Champions?

Djeg akoma, pasi futbolli i ka këto, ndaj një skuadra që nuk goditi asnjëherë portën, por me penallti dhe goditje standarte fitoi ndeshjen. Ne patëm një sezon shumë të mirë, dhe e meritonin Champions. Këto janë eksperienca që të japin ide se si duhet të jesh, dhe çfarë të mos bësh këtë sezon.

Më e lehtë futbollist, kapiten apo drejtues?

Të jem i sinqertë, do doja futbollistin. Fati i keq apo i mirë për mua, ishte dalja e papritur, pasi nuk e prisja të dilja ashtu, por fat i mirë ishte sepse ajo zgjidhje ishte e vështirë, sepse nuk e kisha bërë asnjëherë, por mbështetja që kam pasur nga Lotito, ka qenë e jashtëzakonshme. Tratativat e tij kanë qenë shumë të dobishme, nga ku kam mësuar shumë. Është një profesion që të jep shumë, por të merr edhe shumë. Kam arritur një ekseperiencë të madhe, por jeta është e tillë që dua të mësoj diçka të re çdo ditë.

Ku bazohesh që pikas një talent të ri? Pozicioni që ka, apo duke parë nevojat e skuadrës?

Unë kam disa parametra që janë shumë të rëndësishëm, për nivelet e larta. Lojtarët që përzgjidhen, duhet të interpretojnë disa pozicione dhe role. Për sa i përket skuadrës, skuadra duhet të ketë një filozofi fituese, por nuk është e lehtë, sepse edhe mënyra e interpretimit që kemi ne si skuadër, është se shënojmë shumë, por edhe pësojmë shumë. Lacio është e vetma skuadër që luan me 3 mbrojtës tipik, dhe me 2 anësorë shumë ofensivë. Me karakteristikat e lojtarëve që kemi, kur rikuperojmë topin, dalim shumë shpejt në kundër sulm. Duhet të përmirësojmë shumë fazën difensive, sepse disa gola mund të evitoheshin sezonin e kaluar, dhe nuk duhet të harrojmë që për 1 gol nuk arritëm dot Champions.

Në Itali, është e vështirë që të mbani lojtarë të rëndësishëm. Sa e vështirë është të mbani këto lojtarë, si Milinkoviç-Saviç, më i kërkuari në Europë?

Problemi ynë është që kemi një situatë, që duhet të shesim, për të përmirësuar buxhetin, por edhe të rritësh nivelin e rrogave, apo të investosh tek të rinjtë. Këtë gjë kemi munduar ta evitojmë. Kemi dashur të mbajmë një nivel kompetitiv të skuadrës, në çdo sezon, pasi nuk është vetëm ana financiare, por edhe të kesh objektiva të rëndësishëm. Është prioritet për ne, pasi kemi krijuar një ambien pozitiv në klub. Të gjithë lojtarët që janë larguar, por edhe ata që gjenden aty, është se kanë një lidhje me qytetin, dhe duan të rikthehen ata që janë larguar. Kjo gjë më bën krenar, dhe e theksoj gjithmonë se Lacio duhet të jetë një pikë arritje për lojtarët, jo një pikë nisje. Por, rruga sa vjen e bëhet më e vështirë. Kemi një projekt ambicioz, dhe shpresojmë që koha të na japë të drejtë.

Do ishte mirë të lëvizje në një shtet tjetër?

Raporti im me Lacion është shumë i thellë, sepse kam shumë vite, si futbollist dhe drejtues. Edhe vetë, ia bëj vetes këtë lloj pyetje. Kam pasur shumë oferta nga kampionate të rëndësishëm, por nuk e kam menduar ta bëj këtë hap në karrierë, por në të nesërmen, pse jo.

Ju donte Milani? Apo ka pasur edhe oferta nga Gjermania e Anglia?

Çdo fjalë që unë flas këtu, nesër është në shtypin italian. Do ta evitoj me vetëdije këtë gjë. Kjo është zgjedhje që është bërë tashmë. Ka pasur edhe oferta nga klube të tjera, angleze dhe gjermane.