TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, ka bërë një përmbledhje të të gjitha kontrolleve të deritanishme, në kuadër të aksionit kundër informalitetit. Në rubrikën “Opinion”, në News 24, Ibrahimaj deklaroi se janë kontrolluar 3440 subjekte, prej të cilëve 1487 kanë rezultuar me shkelje të ndryshme.
“3440 subjekte janë kontrolluar, 1487 me shkelje, një pjesë janë gjobitur dhe një pjesë janë bllokuar. Janë kryer rreth 50 mijë vizita në Shqipëri, me qëllim që t’i sensibilizonim se do fillojmë me planin. Aktualisht jemi shtrirë në gjithë bregdetin, në bar-biznese, hoteleri-turizmit.
Kemi konstatuar shkelje të ndryshme, regjistrim subjekti, faturë, sigurimi i punonjësve. Kemi konstatuar shkelje të të gjitha llojeve. Numri më i madh i shkeljeve ka qenë për moslëshim të kuponit tatimor, ku subjektet janë bllokuar.
Qëllimi ynë ka qenë formalizimi për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve. Niveli i shkeljeve rezulton ende shumë i lartë, edhe në fazën e dytë.
Qëllimi kryesor është që ata biznese që paguajnë të gjitha taksat e detyrimet të punojnë në kushtet e një konkurrence të rregullt. Është shumë e padrejtë, që gjysma e bizneseve rezultojnë me shkelje. Kur nuk jepet kuponi, paratë shkojnë në xhepat e një biznesi”, tha drejtoresha e Tatimeve.
Më tej, ajo u shpreh se plani operacional do vijojë me kontrollin e karburanteve dhe subjekteve të ndërtimit. Sipas saj, shkeljet më të mëdha janë konstatuar në bizneset VIP dhe të mëdhenjtë, që janë dhe qëllimi i këtij aksioni.
“Plani operacional nuk ndalon vetëm këtu. Ne po monitorojmë subjektet e ndërtimit, karburantet, ku kemi evidentuar një sërë shkeljesh, që po inspektohen. Synimi është që plani operacional të jetë i shpërndarë gjatë gjithë vitit. Duket sikur jemi vetëm te turizmi, por është vetëm sezoni që e bën të ndihet në këtë moment si një plan i drejtuar vetëm te ky sektor. Drejtoritë e Kontrollit në të gjitha drejtoritë rajonale janë përqendruar te kontrolli i karburanteve dhe kjo do vazhdojë deri në fund të vitit. Deri në mes të shtatorit do jetë i përqendruar te turizmi dhe më pas do vijojë aty ku ka më shumë informalitet. Karburantet dhe ndërtimi, disa janë biznese VIP-a, disa janë të mëdhenj, dhe aty janë humbjet më të mëdha”, tha ajo.