AKTUALITET, 10 Qershor 2019, 15:05

I vuri tritol babait të tij, arrestohet vlonjati

I vuri tritol babait të tij, arrestohet vlonjati

Një 35-vjeçar i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në pronën e babait dhe njëkohësisht për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij është arrestuar nga Policia e Vlorës.

I arrestuari me inicialet E.O., ishte i shpallur prej kohësh në kërkim. Sipas policisë, në datën 30 mars 2019, ai dyshohet se ka vendosur eksploziv në oborrin e banesës së babait të tij, për motive të dobëta.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

“Zbardhet një tjetër rast i “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim, si i dyshuar për ngjarje me eksploziv në pronën e babait dhe njëkohësisht për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Në vijim të punës intensive për kapjen e personave në kërkim, Seksioni i Krimeve mbështetur nga shërbimi “Shqiponja” pranë DVP Vlorë, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, në zonën e Lungomares kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim E. O., 35 vjeç, banues në Vlorë. 35 vjeçari ka qenë i shpallur në kërkim, pasi në datën 30.03.2019, dyshohet se ka vendosur eksploziv në oborrin e banesës së babait të tij, për motive të dobëta.

Ndaj këtij shtetasi, rëndon edhe një vepër tjetër penale si “Dhuna në familje”, pasi bazuar në kallëzimin e dhënë nga vjehrra e shtetasit E.O, ky i fundit ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së saj më datë 09.03.2019. — Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë edhe një 54 vjeçar tjetër A.J., për “Dhunë në familje”. Arrestimi i tij u bë pasi në fshatin Novoselë, ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, për motive të dobëta”.