AKTUALITET, 1 Korrik 2019, 17:34

I ngacmoi të dashurën shokut, ja pse u vra Gentian Beqiri në Elbasan

I ngacmoi të dashurën shokut, ja pse u vra Gentian Beqiri në

Etjen Cani është arrestuar në Itali, si vrasësi i dyshuar i Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri. Vrasja duket se ka lidhje me ngacmimin e të dashurës së Etjenit, Geralda Teta, nga viktima Gentjan Beqiri. Etjen Cani ishte ndër personat e vetëm që hynte në banesën e familjes së Gentjan Beqirit, pasi ky i fundit kishte vrarë Sokol Çapjan dhe ruhej. Gentjan Beqiri ishte i paralizuar, prandaj gjykata e kishte lenë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Mëngjesin e 15 gushtit 2012 Gentian Beqiri është qëlluar me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij është rrahur barbarisht me sende të forta, gjuajtur me thika, duke ju thyer 6 brinjë, plasur hemoragjia në tru dhe në mëlçi.

Historia

Etjen Cani shkonte shpesh në banesën e Gentian Beqirit, ku me vete merrte edhe të dashurën e tij Geralda Teta dhe shokun Lorenc Skilja. Mirëpo, gjatë qëndrimit të Geraldës në këtë shtëpi, Gentian Beqiri e ka ngacmuar seksualisht. Pas këtij ngacmimi mes Etjen Canit dhe të dashurës së tij Geralda Teta, ka lindur një konflikt. Ky ngacmim seksual që Gentian Beqiri i ka bërë të dashurës së shokut të tij të ngushtë Etien Cani, mund të jetë bërë shkak i vrasjes brenda në shtëpi, së bashku me babain e tij Nezir Beqiri.

Lindja e konfliktit mes Geralda Tetas dhe Etjen Canit, ka sjellë shkëmbimin e disa mesazheve telefonike, mesazhe këto që janë gjetur në aparatin telefonik “NOKIA”, i sekuestruar në vendin e krimit. Gjashtë vjet pas krimit të rëndë në Elbasan, prokuroria në datën 4 tetor 2018 ka bërë kqyrjen e këtij aparati telefonik, ku është gjetur ky mesazh i dërguar nga Geralda Teta tek numri i të dashurit të saj Etjen Cani:

“…O injorant ça rehati thu re me çin me ngatërron me ato kurvat e rrugëve? Në momentin që Genti zgjati durët u ngrita direkt dhe do ikja dhe nuk më la, tha mirë rrimë flasim si njerëz dhe u ulëm po flisnim tamam, jo unë të pelqej ty, jo t’kam qef. I thashë më vjen keq, e t’keqen s’bahet gja që t’jemi ma tepër. Po për sytë e ballit pyete atë dhe hajde fol me mu plerë se kshu je ti. Shan e ban direkt. Dhe kamundësi, mos ti bish ma numrit tim. Harroje Gerin, ETJEN CANI…”.

Pas gjetjes së këtij mesazhi dhe identifikimit të numrit, Geralda Teta, është marrë në pyetje në prokurori duke pohuar se: Në vitin 2012 kam qenë e lidhur me Etjen Canin, të cilin e kam njohur sepse e kam patur në lagje.

Ajo deklaron se së bashku me Etjenin kanë shkuar dhe kanë qëndruar edhe tek shtëpia e Gentian Beqirit, në atë kohë ishtë i paralizuar dhe në masë sigurimi “arrest shtëpie”. Ajo shpjegon në deklarim se dera ishte gjithmonë mbyllur dhe hapej sapo Etjeni i binte derës dhe se familjarët e Gentianit nuk e hapnin derën personave të panjohur.

Në lidhje me numrin e telefonit, Geralda Teta, shpjegon se numrin e telefonit 06948XXX e ka patur ajo në përdorim dhe se është ajo që ka komunikuar me mesazh (SMS) drejt numrit 06958XXX. Më tej Geralda deklaron në prokurori se SMS ia ka dërguar Etjenit sepse atë kishte të dashur dhe nuk mund t’ja dërgonte një mesazh të tillë viktimës, Gentianit, pasi nëpërmjet kësaj SMS, ajo mundohet ti shpjegojë Etjenit veprimet që kishte kryer me të Gentjan Beqiri. Nisur nga kjo situatë, policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë lëshuar urdhër arresti për Etjen Cani.

Pista e dytë pse Etjen Cani dyshohet se vrau Gentjan Beqirin, është se mund të jetë paguar nga fisi Çapja.

Si ndodhi vrasja e Gentian Beqirit

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit. Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.

Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.

Fillimisht ata janë përballur me efektivin që ruante te porta hyrëse e pallatit. Por ata kanë arritur të ngjisin shkallët pa asnjë problem. Duket që polici ka menduar se dy personat e panjohur ishin mysafirë të ndonjë fqinji të personit që kishte nën ruajte.

Më tej, kur janë ngjitur në katin e pestë janë përballur me policin e dytë. Ata kanë nisur të flasin shumë miqësisht me të duke iu prezantuar si djem të tezes së Gentian Beqirit.

Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte “tezja” në shtëpi, teksa i ka bërë me shenjë që bëhej fjalë për hyrjen ku banonte familja Beqiri. Por ai u ka thënë dy të panjohurve se e zonja e shtëpisë sapo kishte dalë në treg për të bërë pazarë.

Në këtë moment, njëri prej tyre ka vazhduar dialogun duke i thënë policit roje se po shkonin të takonin “djalin e tezes”, Gentianin, pasi kishin kohë pa e takuar.

Autori i ka rënë derës së banesës, të cilën e ka hapur i babai i moshuar i viktimës, Nezir Beqiri. Vetëm pak minuta ka zgjatur “vizita” e dy personave, të cilët kanë dalë nga banesa me hapa krejt normalë. Pasi kanë zbritur shkallët, ata kanë kaluar edhe policin e dytë rojë. Ky i fundit, i habitur nga vizita e shpejtë, i ka pyetur se pse kishin qëndruar aq pak.

Por pikërisht në këtë moment është zbuluar çfarë kishte ndodhur pasi të dy personat kanë vrapuar duke u futur nëpër rrugicat e lagjes. Policët kanë shkuar me të shpejtë në vend dhe konstatuan vrasjen e personit që ata e ruanin prej 2.5 vitesh, ndërsa përtokë pa ndjenja ishte edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili dyshohet se është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës që të mos jepte alarmin e krimit.

Sipas Policisë, vrasja është kryer me pistoletë me silenciator, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe në trup. Dyshohet se në momentin e ngjarjes 40-vjeçari ndodhej ende në gjumë.

Nëna

“Ma vranë djalin në gjumë, do të marr hak”. Kështu ulërinte Hajrie Beqiri, atë mëngjes gushti të 7 viteve më parë, kur vrasësit e ruajtën gruan e moshuar deri sa doli nga shtëpia. Ajo shkonte përditë në treg, blinte ndonjë gjë dhe i gatuante të birit që i kishte dalë në “arrest shtëpie” dhe që ruhej edhe me policë në hyrje të pallatit.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor “KRASTA”

Kapet në Itali, autori i dyshuar i vrasjes, kryer në bashkëpunim, të dy shtetasve babë e bir, ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.

Gjatë paradites së sotme, si rezultat i bashkëpunimit të Task-Forcës Speciale, në Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Elbasan, Interpol Tiranës me Zyrën Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë dhe me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi në Rimini të Italisë, i shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar:

E. C., 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendim penal nr. 480, datë 12.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”, në lidhje me vrasjen e shtetasit G. B., (alias A. M.,) dhe të babait të tij shtetasit N. B., ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan.

Task – Forca Speciale kishte marrë informacione në rrugë operative, se ky shtetas fshihej në Itali dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Romës, si dhe Zyrës Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë, paraditen e sotme u bë e mundur kapja e tij, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë

Në kuadër të operacionit “Krasta”, më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe shtetasi i kapur sot në Itali./MAPO/