AKTUALITET, 13 Mars 2018, 11:02

Historia rrëqethëse e 39-vjeçares që vdiq bashkë me foshnjën 9 muajshe, 6 vajzat e mitura jetime

Varfëria e skajshme ka çuar drejt vdekjes një 39-vjeçare nga Kukësi, e cila ishte shtatzënë në muajin e 9-të. Nurije Poçi, nënë e 6 vajzave ka ndërruar jetë në maternitetin e qytetit verilindor, ndërsa ka humbur dhe foshnjën, e saj që ishte e seksi mashkull.

Burime zyrtare nga Spitali Rajonal i Kukësit bënë me dije se ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Kreu i këtij institucioni shëndetësor, Ismet Nika bëri me dije  se 39-vjeçarja kishte tentuar ta dëmtonte disa herë barrën e saj për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe se ajo u paraqit në spital me një hemorragji të fortë dhe me fetusin e vdekur.

Sipas Nikës, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjes së mjekëve për ta sjellë në jetë, gjithçka ka rezultuar e kotë.

Ndërkaq, mësohet se viktima Nurije Poçi jetonte në skamje (pa asnjë të ardhur) ndaj dhe ka tentuar të mos e sillte në jetë djalin e vetëm pas 6 vajzave. Pas ngjarjes së rëndë, Bashkia e Kukësit ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit të 39-vjeçares.

E mbetur  e ve dhe me 6 vajza, Nurija edhe më parë kishte bërë apel shtetit për ndihmë, pasi nuk kishte se si ti ushqente të voglat e saj. Tashmë 6 vajzat e mitura kanë humbur edhe mamanë, duke mbetur në mëshirë të fatit.

Në foto: 39-vjeçarja Nurije Poçi

NGJARJA

Të dielën, Nurije Poçi, banuese në lagjen nr.3 të Kukësit është paraqitur në urgjencën e maternitetit të këtij qyteti në gjendje të rëndë. Me gjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha, ajo ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. “Pacientja me inicialet N.P., 39 vjeçe u paraqit në urgjencën e maternitetit Kukës, më dt. 11.3. 2018 në gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupture të shprehur të uterusit. U reanimua dhe u ndërhy menjëherë në sallën e reanimacionit nga ekipi i mjekëve gjinekologë, kirurgë dhe anestezistë reanimatorë, ku bënte pjesë edhe mjeku kirurg nga Tirana, i cili po jep shërbim në spitalin e Kukësit përmes programit të bonusit.

Pacientja ka tentuar disa herë në shtëpi të dëmtojë barrën për shkak të problemeve sociale dhe është paraqitur në spital në gjendje të rënduar me hemorragji të shprehur”, tha dje drejtori i Spitalit Rajonal të Kukësit, Ismet Nika.

Ndërkaq, burime nga materniteti i Kukësit sqaruan se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rëndë e pacientes, të cilës i është dhënë 5 njësi gjak dhe 3 njësi plazmë, por ajo ka qenë pa puls periferik gjatë gjithë kohës. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor, 39-vjeçarja ndërroi jetë rreth orës 01:30 të ditës së djeshme. Nga ana tjetër, policia deklaroi se është njoftuar dje në orën 08:30 nga Spitali Rajonal Kukës, se në orët e para të mëngjesit, në maternitetin e Kukësit gjatë lindjes ka gjetur vdekjen shtetasja N.P., së bashku me foshnjën.

Në foto: Drejtori i Spitalit Rajonal të Kukësit, Ismet Nika

BANORËT

Prej disa vitesh, Nurije Poçi jetonte së bashku me fëmijët në lagjen nr.3 të Kukësit (tek ish-Barakat). Fqinjë të 39-vjeçares pohuan se 39-vjeçarja jetonte në varfëri ekstreme, pasi nuk kishte asnjë të ardhur, ishte e papunë.

Banorë të tjerë të këtij qyteti u shprehën se Nurija nuk arrinte të siguronte as bukën thatë për 6 vajzat e saj, ndaj është detyruar që të bëjë vetë abort në banesën e saj me mjete rrethanore. Burimet e mësipërme thanë se 39-vjeçarja me origjinë nga fshati Surroj, nuk kishte mbështetje as nga familjarët e saj, të cilët e kishin braktisur duke e lënë në pikë të hallit.