AKTUALITET, 28 Prill 2019, 23:28

Haradinaj: Takimi i Berlinit, mundësi e mirë për rajonin

Haradinaj: Takimi i Berlinit, mundësi e mirë për rajonin


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka arritur në Berlin, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Ai ishte i shoqëruar nga Presidenti Hashim Thaçi, Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli si dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Shefi i ekzekutivit të Kosovës shprehet se ky takim është një mundësi e mirë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më poshtë statusi i tij:

“Me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, sapo arrita në Berlin, për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.

Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane.

Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj!”.