AKTUALITET, 20 Dhjetor 2017, 08:10

Hapen dosjet e 56 gjyqtarëve dhe prokurorëve, mes tyre dhe Arta Marku

Hapen dosjet e 56 gjyqtarëve dhe prokurorëve, mes tyre dhe Arta Marku

Arta Marku, kryeprokurorja e sapozgjedhur nga Parlamenti, mes tymit, përleshjeve dhe kaosit, po i nënshtrohen Vetingut për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme të papërshtatshme me krimin dhe aftësitë profesionale.

Vendimi për kryeprokuroren e re, nëse duhet apo jo të shërbejë në sistemin e drejtësisë, pritet të zyrtarizohet në ditët e para të muajit janar.

Zonja Marku është pjesë e një liste, e zbardhur nga Shqiptarja.com, me 57 prokurorët dhe gjyqtarët e parë që po kontrollohen. Kontrolli i zonjës Marku nuk ka lidhje me pretendimin e opozitës për kalimin e Vetingun dhe as me detyrën e saj të re, por është një rastësi, pra produkt i shortit. Në listë, zonja nuk referohet si kryeprokurore, por si prokurore në Shkodër. Konkretisht, në fillim të këtij muaji, Komisioni Kualifikimit, organi kryesor i Vetingut, ka përcaktuar me short emrat e 57 prokurorëve dhe gjyqtarëve të parë, të cilëve po u shqyrtohen dosjet nga katër trupa gjykuese, të përbërë nga tre anëtarë.

Përpos kryeprokurores së re të përkohshme Arta Marku, pjesë e listës është edhe paraardhësi i saj, Adriatik Llalla, për të cilin opozita kërkoi që të qëndronte në detyrë deri në vitin 2019. Gjithashtu, shorti ka përcaktuar hapjen e dosjeve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të kryeinspektores pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari. Gjithashtu, pjesë e listës është edhe prokurori Ramadan Troci, i cili futi në burg Ardian Fullanin si dhe Rovena Gashi, drejtoresha e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë. Ashtu siç edhe paralajmëroi dy ditë më parë Ambasada Amerikane në Tiranë, rezultatet e kontrollit të trefishtë, për të gjithë emrat, pritet të dalin shumë shpejt.

Disa ditë më parë, Shqiptarja.com publikoi edhe pasurinë e kryeprokurores së re. Duke iu referuar deklaratave të administruara nga ILDKP, Marku posedon një pasuri të zakonshme në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara. Gjithsesi, do të jenë organet e Vetingut ata që do të përcaktojnë ligjshmërinë e pasurisë së saj.

Dosjet

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Shkolla e Magjistraturës kanë çuar në Komisionin e Kualifikimit nga tre dosje për secilin gjyqtar dhe prokuror. Çdo dosje respektive përmban edhe rekomandimin e institucionit për gjyqtarin apo prokurorin. ILDKP jep rekomandimin nëse e kalon apo jo testin e pasurisë, DSIK për lidhjet me krimin dhe rekomandimi i tretë jepet për aftësitë profesionale. Ndërkaq, anëtarët e Komisionit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit.

Vendimet e komisionit, shkarkimi

Në bazë të shqyrtimit dhe analizimit të provave, Komisioni i Vlerësimi, në përfundim të procesit mund të vendosë konfirmimin në detyrë të gjyqtarit apo prokurorit, pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare dhe shkarkimin nga detyra. Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit apo prokurorit jepet si masë nga komisioni kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.

Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës. Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale. Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Komisionit, nuk mund ta ushtrojnë detyrën, por mund të ankohen në Kolegjin e Apelimit. Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji i Apelimit vendos lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, ndryshimin e vendimit të Komisionit.

57 gjyqtarët dhe prokurorët që po u shqyrtohen dosjet

  1. Altina Xhoxhaj Gjykata Kushtetuese
  2. Bashkim Dedja Gjykata Kushtetuese
  3. Besnik Imeraj Gjykata Kushtetuese
  4. Fatmir Hoxha Gjykata Kushtetuese
  5. Fatos Lulo Gjykata Kushtetuese
  6. Gani Dizdari Gjykata Kushtetuese
  7. Vitore Tusha Gjykata Kushtetuese
  8. Xhezair Zaganjori Gjykata e Lartë
  9. Adriatik Lalla Ish-Prokuror i Përgjithshëm
  10. Alma Brati Gj. Shk. I, Tiranë
  11. Artan Laze Gj. Shk. I, Tiranë
  12. Artan Zeneli Gjykata e Lartë
  13. Astrit Faqolli Gj. Shk. I
  14. Besim Trezhnjeva Gj. Apelit Durrës
  15. Bledar Abdullai Gj. Shk. I, Tiranë
  16. Brunilda Kadi Gj. Shk. I, Tiranë
  17. Brunilda Kasmi Gj. Shk. I, Tiranë
  18. Dritan Hallunaj Shk. I për Krimet e Rënda
  19. Ilir Toska Gj. Apelit Tiranë
  20. Manjola Xhaxho Gj. Shk. I, Tiranë
  21. Marcela Shehu Gj. Shk. I, Kurbin
  22. Medi Bici Gjykata e Lartë
  23. Nertina Kosova Apeli Krimet e Rënda
  24. Adriatik Cama Prokuroria Tiranë
  25. Anila Leka Prokurori e Përgjithshme
  26. Antoneta Sevdari Prokuroria Tiranë
  27. Arben Dopallaj Prok. Apelit Shkodër
  28. Arben Nelaj Prokuroria Tiranë
  29. Arta Marku Prokuroria Shkodër
  30. Besa Nikehasani Prok. Apelit Shkodër
  31. Besnik Cani Prokuroria Elbasan
  32. Besnik Muci Prok. Krimet e Rënda
  33. Bujar Hoti Prokuroria Durrës
  34. Dritan Prenci Prokuroria Kukës
  35. Dritan Rreshka Prokuroria Tiranë
  36. Elison Sadiku Prokuroria Korçë
  37. Gentjan Osmani Prok. Krimet e Rënda
  38. Kostaq Beluri Prokurori e Përgjithshme
  39. Luan Kaloçi Prok. Apelit Tiranë
  40. Ramadan Troci Prokurori e Përgjithshme
  41. Shpëtim Kurti Prokuroria Tiranë
  42. Vat Staka Prokuroria Shkodër
  43. Brikena Ukperaj Lubonja Gj. Apelit Vlorë
  44. Ervin Metalla Gj. Apelit Tiranë
  45. Fatjona Memçaj Prok. Apelit Tiranë
  46. Gentjan Medja Gj. Adm. Sh.I Tiranë
  47. Gentjan Trenova Prok. Apelit Tiranë
  48. Kastriot Selita Gj. Adm. e Apelit
  49. Rovena Gashi Prokurori e Përgjithshme
  50. Admir Thanza Gjykata e Lartë
  51. Ardian Dvorani Gjykata e Lartë
  52. Artan Broci Gjykata e Lartë
  53. Edmond Islamaj Gjykata e Lartë
  54. Shkëlzen Selimi Gjykata e Lartë
  55. Tom Ndreca Gjykata e Lartë
  56. Artur Malaj Gj. Adm. e Apelit
  57. Marsida Xhaferllari Insp. e Lartë e Drejtësisë