AKTUALITET, 28 Prill 2019, 08:49

Grabitja e Rinasit/ U identifikua nga i penduari, si u arrestua në bregdet “Daja” nga Kosova

Grabitja e Rinasit/ U identifikua nga i penduari, si u arrestua në bregdet


Teksa ka arrestuar kosovarin Ragip Haxhihajdini, policia ka kryer kontrolle në banesën që ai ka tek “Shkëmbi i Kavajës”.

Gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm, ndërkohë vetë kosovari në momentin e pyetjes në polici ka pranuar se ka njohje me Admir Murataj dhe Klemend Çalën. Haxhihajdini thirrej nga personat e grupit si “Daja”, pasi ishte nga Kosova, banor i qytetit të Pejës.

Haxhihajdini u identifikua nga dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë Alkond Bengasi. Ishte pikërisht ky i fundit që ka identifikuar Haxhiahajdinin në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.

Në operacionin për kapjen e tij ka asistuar dhe Bengasi, i cili në paraqitjen për njohje ka arritur të njohë kosovarin që e kishte parë në shoqëri me Admir Murataj dhe mikun e tij Klemend Çala. RagipHaxhihajdini u arrestua nga policia në zonën e plazhit në Durrës, pasi aty kishte një banesë të tijën tek “Shkëmbi i Kavajës”. 50-vjeçari nga Peja u zbulua falë dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasit, të arrestuar për grabitjen, njëherësh kushëri i Klement Çalës, në kërkim si një nga organizatorët e vjedhjes së miliona eurove në pistën e avionëve në Rinas.

Dëshmia e Bengasit zbuloi kosovarin

Ishte Alkond Bengasi që përmendi në dëshminë e tij se Admir Murataj, që mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes, takohej me një kosovar tullac nga Kosova. Ai është përshkruar nga Bengasi si “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.

Arrestimi i Ragip Haxhihajdinit, e çoi në gjashtë numrin e personave të vënë para drejtësisë për grabitjen në aeroport, ndërsa Alkond Bengasi është i vetmi që është penduar dhe ka folur. Ai thotë se vetëm ka bërë modifikimin e furgonit me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” me të cilën 5 grabitësit u futën në aeroport, por nuk kishte dijeni se ai do të përdorej për vjedhjen e parave të bankës teksa do transportoheshin për në Vjenë.

Ragip Haxhihajdini, i cili njihet edhe me mbiemrin Hajdini, ishte në kërkim edhe nga autoritet në Kosovë, pasi atje është akuzuar për vjedhjen e 25 kg ar në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Pejës 7 vjet më parë, dhe i dyshuar për grabitjen e një banke në Istog ku mbeti i vrarë edhe një efektiv i policisë. Duke qenë se sipas së dëshmisë së Alkondit, kosovari rrinte shpesh nën shoqërinë e Klement Çalës dhe Admir Muratajt, hetuesit dyshojnë që Hajdini të ketë pasur rol organizatori në këtë grabitje.

Plani dyshohet të jetë thurur në një restorant në zonën e Shkëmbit të Kavajës ku jetonte kosovari, por edhe në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku siç tregon Alkond Bengasi, ata takoheshin shpesh me njëri-tjetrin.

Nga arratia në grabitjet e bankave

Edhe pse në arrati nga vitit 2013 kur ishin arratisur nga burgu grek i Trikallasë, Admir Murataj dhe Klement Çala lëviznin të lirë në Shqipëri, e madje në zonën e liqenit të Thatë në kryeqytet, kishin hapur edhe një restorant.

Sipas dëshmisë së Bengasit, gjashtë ditë para grabitjes së Rinasit është parë në zonën e Liqenit të Thatë, në shoqërinë e Muratajt, duke udhëtuar me një automjet “Golf” ngjyrë të bardhë me targa të Kosovës. Kjo dëshmon sipas hetuesve miqësinë e ngushtë që kishin Murataj dhe Haxhihajdini, të cilët e thërrisnin njëri-tjetrin me nofkën “Daja”. Për të përcaktuar qartë se cilët ishin 5 grabitësit që përshkruan pistën me furgonin “Hetimi Tatimor”, autoritetet shpresojnë në gjurmët e gishtërinjve të gjetura në furgon, përmes të cilave do të zbulohet nëse “Daja” nga Kosova ka qenë vetëm pjesë e thurjes së planit, apo ka marrë pjesë drejtpërdrejt në grabitje.

Nga të arrestuarit në pistë dyshohen të kenë hyrë, Oltion Veseli dhe Elton Pikli, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë. Në kërkim janë Talo Çela, vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, një tjetër ish-efektive, Edlira.B, i kërkuari për grabitje të tjera, Aleks Pepa dhe dy të tjerë. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.

Të arrestuar

1. Oltion Veseli 38 vjeç nga Kruja (dyshohet autor i grabitjes)

2. Elton Pikli 40 vjeç nga Kruja (dyshohet autor i grabitjes, me profesion kasap)

3. Alkond Bengasi34 vjeç nga Elbasani (i penduar i drejtësisë, dyshohet bashkëpunëtor), me banim në Tiranë

4. Saimir Çela 28 vjeç nga Kajani i Elbasanit (bashkëpunëtor)

5. Renaldo Sula25 vjeç nga Elbasani(bashkëpunëtor)

6.Ragip Haxhihajdini nga qyteti i Pejës Kosovë

Në kërkim si autor direkt në grabitje

1. Talo Çela, nga Elbasani, (dyshohet të jetë autor direkt në grabitje) pronar i vilës ngjitur me servisin ku u modifikua furgoni

2. Klement Çala 31 vjeç nga Elbasani, i shpallur në kërkim për grabitjet që në vitin 2015

3. Eldi Çala (ka blerë servisin në Karakullak ku u modifikua furgoni i grabitjes) – bashkëpunëtor, vëllai i Klement Çalës

4. Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie (dyshohet të ketë dhënë infromacion tek grabitësit për furgonet që transportonin paratë)

5. Aleks Pepa nga Elbasani i shpallur në kërkim për grabitjen e parë brenda aeroportit në qershor 2016

6.Edlira.B. një ish-efektive e komisariatit të Yzberishtit

I vrarë pas grabitjes

1. Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek, ishte në kërkim për dy grabitje të tjera në Shqipëri, në 2015 tek Stacioni i Trenit në Tiranë dhe 2017 në Qafë-Kashar. U vra gjatë shkëmbimit me policinë.

/Shqiptarja.com/