AKTUALITET, 28 Nëntor 2020, 11:07

Grabitja e Rinasit, lirohet nga burgu Admir Çerpja, bashkëpunoi me drejtësinë

Grabitja e Rinasit, lirohet nga burgu Admir Çerpja, bashkëpunoi me

Lirohet Admir Çerpja, një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë që u vu në pranga për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas.

Mësohet se vendimi është marrë sot nga Gjykata e Apelit. Çerpjas i kishin mbaruar të gjitha afatet e paraburgimit dhe në mungesë provash është lënë i lirë.

Çerpja u dënua në vitin 2019 me 5 vite e 8 muaj burg. Ai përfitoi ulje pasi bashkëpunoi me drejtësinë dhe tashmë është përfundimisht i lirë nga të gjitha akuzat.

Çerpja ka treguar që pas grabitjes së 9 shkurtit në afërsi të Rinasit, ka qenë Dash Kupa dhe Admir Murataj ata që i kanë dërguar paratë e shpërblimit për informacionin që ai u ka dhënë në banesën e Neim Avdulajt. Ky i fundit, sipas Çerpjas ishte personi që shpërndau paratë e shpërblimit.

“Më dhanë rreth 70 mijë euro në total, në valutë paund, euro dhe dollarë që ishin prerje të vogla.

Unë doja më shumë, ka thënë Çerpja, por Dash Kupa nuk pranoi të më jepte, pasi mori edhe ai këstin e tij nga paratë e shpërblimit për dhënien e informacionit,”- rrëfente Çerpja para grupit hetimor.

Grabitja spektakolare në Rinas, ndodhi mesditën e 9 prillit të 2019.

Një makinë pa targa mbi të cilën shkruhej “Hetimi Tatimor” vodhi 4.6 milionë euro që do të transportoheshin drejt Vienës.

Pasi kryen grabitjen, katër autorët u larguan me shpejtësi nga dera e pasme e aeroportit. Gjatë largimit pati edhe një shkëmbim zjarri mes autorëve dhe policisë, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, i cili njihej si ‘truri’ i grabitjeve.

Të pandehurit në këtë çështje janë: Eldi Çala, Klement Çala, Oltion Veseli, Renaldo Sula, Elton Pikli, Alkond Bengasi, të cilët janë nën masën e arrestit me burg përveç Talo Çelës, i cili është në arrati. Gjykata ka vendosur që të pushojë akuzën për Ragip Hajdinin pasi ndërroi jetë pak kohë më parë nga një sëmundje.