LIFESTYLE, 22 August 2026, 16:55

Goditja e radhës për Brad Pitt, vajza 18-vjeçare Vivienne kërkon të heqë mbiemrin e tij

Goditja e radhës për Brad Pitt, vajza 18-vjeçare Vivienne

Vajza e Brad Pitt dhe Angelina Jolie, Vivienne, ka ndërmarrë një tjetër hap për t’u distancuar ligjërisht nga mbiemri i babait të saj.

18-vjeçarja ka nisur procedurën zyrtare për të hequr mbiemrin “Pitt” nga emri i saj dhe, në përputhje me ligjin e shtetit të Kalifornisë, është detyruar të publikojë një njoftim në një gazetë për katër javë rresht.

Nga 24 korriku deri më 14 gusht 2026, Vivienne publikoi në The Los Angeles Daily Journal njoftimin ku bëhej e ditur kërkesa e saj për ndryshimin e emrit.

Megjithatë, kërkesa ende nuk është miratuar. Hapi i radhës do të jetë një seancë gjyqësore më 2 nëntor, ku do të shqyrtohet peticioni i saj për ndryshimin ligjor të emrit.

Dokumentet gjyqësore bëjnë të ditur se çdo person që dëshiron të kundërshtojë ndryshimin e emrit duhet të paraqesë një kundërshtim me shkrim, duke shpjeguar arsyet, të paktën dy ditë pune gjyqësore përpara seancës.

Vivienne paraqiti peticionin fillestar më 21 korrik në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Angeles, duke kërkuar që emri i saj ligjor të ndryshohet nga “Vivien Marceline Jolie-Pitt” në “Vivien Marceline Jolie”. Si arsye për kërkesën ajo përmendi “arsye personale”.

Ky është hapi i fundit në një seri veprimesh për t’u distancuar nga mbiemri Pitt. Në maj të vitit 2024, ajo u prezantua si “Vivien Jolie” në programin e shfaqjes në Broadway The Outsiders, të cilën e ndihmoi ta prodhonte së bashku me nënën e saj.

Edhe Zahara dhe Maddox kërkojnë heqjen e mbiemrit “Pitt”

Vendimi i Vivienne vjen rreth një muaj pasi edhe dy nga vëllezërit e motrat e saj, Zahara, 21 vjeç, dhe Maddox, 25 vjeç, paraqitën peticione të ngjashme për të hequr “Pitt” nga mbiemrat e tyre.

Edhe ata publikuan njoftimet përkatëse në Los Angeles Daily Journal, në përputhje me procedurat e parashikuara nga ligji i Kalifornisë.

Seanca për peticionin e Maddox është caktuar për 14 shtator, ndërsa ajo për Zahara do të zhvillohet më 28 shtator.
Nëse edhe kërkesa e Vivienne miratohet, ajo do të jetë fëmija i radhës i Brad Pitt dhe Angelina Jolie që do të mbajë ligjërisht vetëm mbiemrin Jolie.