TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare kantautori, kompozitori dhe shkrimtari i njohur italian Francesco Guccini, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës italiane.
I lindur në vitin 1940 në Modena, Guccini e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në rajonin e Emilia-Romagna. Përpara se t’i përkushtohej plotësisht muzikës, ai punoi si mësues, gazetar dhe tekstshkrues.
Që nga vitet 1970 u vendos në Bolonjë, ku ndërtoi karrierën e tij artistike dhe u bë një nga zërat më të veçantë të kantautorëve italianë.
Krijimtaria e Guccinit u dallua për tekstet me referenca të shumta letrare, filozofike dhe historike, duke u frymëzuar nga autorë si Jorge Luis Borges, Miguel de Cervantes, Bibla dhe Bob Dylan.
Edhe pse shpesh identifikohej me ide progresive, ai kishte theksuar vazhdimisht se artisti duhet të mbetet i lirë dhe i pavarur nga çdo identitet ideologjik.
Kritikët e konsiderojnë Francesco Guccinin një nga zërat më cilësorë dhe më me ndikim të muzikës italiane. Mediat italiane kanë vënë në pah veçanërisht angazhimin e tij shoqëror dhe ndjeshmërinë poetike, të pasqyruara në këngë të njohura si “La locomotiva”, “Piccola città” dhe “Il vecchio e il bambino”.
Familja bëri të ditur se ceremonia mortore do të zhvillohet në një rreth të ngushtë familjar, ndërsa në muajin shtator do të organizohet një aktivitet publik për të nderuar jetën dhe veprën e artistit, i cili la një trashëgimi të çmuar në kulturën dhe muzikën italiane. A.K./TemA