AKTUALITET, 3 October 2026, 20:13

Gjashtë fëmijë dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një kopsht në Korçë, procedohen mjekja dhe drejtoresha e kopshtit

Gjashtë fëmijë dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një

Gjashtë fëmijë, të cilët dyshohet se janë paraqitur me simptoma të njëjta gastrointestinale, kanë marrë ndihmë mjekësore në Korçë, pasi kishin konsumuar ushqim në të njëjtin kopsht.

Në lidhje me ngjarjen, Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj mjekes së Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës dhe drejtoreshës së kopshtit.

Sipas autoriteteve, mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për paraqitjen e fëmijëve me simptoma të ngjashme, ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Njoftimi i policisë:

DVP KORÇË/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:

E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;

M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.

Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.

Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.