TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin e Këshillit Fiskal, një institucion i pavarur që do të kontrollojë nga jashtë mënyrën se si hartohen dhe zbatohen politikat fiskale dhe buxheti i shtetit.
Këshilli nuk do të vendosë për taksat, shpenzimet apo buxhetin. Roli i tij do të jetë të analizojë dhe të vlerësojë nëse financat publike janë të qëndrueshme dhe nëse qeveria po respekton rregullat fiskale.
Këshilli do të ketë të drejtë të kërkojë informacion nga institucionet publike, ndërsa do të publikojë analizat, opinionet dhe raportet e tij. Institucioni do t’i nënshtrohet të paktën një herë në gjashtë vjet një vlerësimi të jashtëm për pavarësinë dhe efektivitetin e tij.
Në fokus do të jetë edhe projektbuxheti vjetor, parashikimet makroekonomike dhe ndryshimet që mund t’i bëhen buxhetit gjatë vitit.
Por opinioni i këtij institucioni nuk do të mbetet thjesht një dokument. Nëse Këshilli Fiskal ngre vërejtje për projektbuxhetin apo kuadrin fiskal, Ministria e Financave do të duhet të japë një relacion shpjegues.
Këshilli do të përbëhet nga vetëm tre anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi me shumicën e më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve. Mandati do të jetë gjashtë vjet, ndërsa përbërja e parë do të ketë mandate të ndryshme, për të garantuar rotacionin.
Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vite eksperiencë në financa publike, makroekonomi apo kërkim shkencor dhe të mos kenë ushtruar funksione politike apo qenë pjesë e administratës publike në dy vitet para emërimit.
Institucioni do të ketë edhe sekretariat teknik, financim nga buxheti i shtetit dhe të drejtë të kërkojë informacion nga institucionet publike.
Kështu, para se shifrat e buxhetit të kthehen në vendime, ato do të kalojnë edhe në një filtër të pavarur.
Kostoja totale e ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Fiskal llogaritet në rreth 39 milionë lekë.
Nga kjo shumë, 32 milionë lekë janë parashikuar për pagat e tre anëtarëve të Këshillit dhe pesë punonjësve të Sekretariatit Teknik, 5 milionë lekë për shpenzime operative dhe 2 milionë lekë për shpenzime kapitale fillestare.