TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përpara përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut në Vjenë, aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn bën një premtim për shqiptarët: nëse bëhet president i Austrisë, do t’i kthejë ato në Krujë.
Ai është kandidat i vetëshpallur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 dhe zotimin e ka publikuar në një video në rrjetet sociale.
"Si president i Austrisë, zotohem të kthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar mbretin Skënderbe. Zotohem. O Zot, më ndihmo ta përmbush këtë zotim ndaj Skënderbeut, Austrisë dhe Shqipërisë", shprehet ai.
Fehlinger-Jahn drejton Komitetin Austriak për Zgjerimin e NATO-s dhe është angazhuar prej vitesh për anëtarësimin e vendit të tij në aleancë. Me profesion konsulent biznesi, ai ka punuar në Bruksel dhe në Kosovë, ndërsa në vitin 2022 ndërmori një fushatë për mbledhjen e firmave kundër neutralitetit austriak dhe në mbështetje të hyrjes në NATO. Ai kërkon gjithashtu integrimin euroatlantik të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Ukrainës.
Si përfunduan në Vjenë përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut?
Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, bashkëshortja Donika dhe djali Gjoni u vendosën në Itali. Ata morën me vete edhe përkrenaren dhe shpatën e tij. Por se ku u ruajtën dhe në duart e kujt kaluan gjatë dekadave që pasuan, nuk është dokumentuar plotësisht.
Gjurmët e tyre shfaqen më shumë se një shekull më vonë në letrat e shkëmbyera me Ferdinandin II, arkidukë i Austrisë dhe sundimtar i Tirolit. Ai ishte pjesëtar i familjes Habsburge dhe koleksiononte armë e armatura të sundimtarëve dhe komandantëve të njohur, të cilat i ruante në kështjellën Ambras, pranë Innsbruckut.
Sipas të dhënave të përcjella nga Leo Alexander Freundlich, konsull i Shqipërisë në Austri gjatë mbretërimit të Zogut, një fisnik italian, Mario Sforza, i premtonte Ferdinandit se do t’i dërgonte armët e Skënderbeut. Në maj të vitit 1579, arkiduka e falënderonte për to.
Në inventarin e kështjellës Ambras të vitit 1593, përkrenarja dhe dy shpata renditen nën emrin e Skënderbeut. Në Vjenë u dërguan në vitin 1806, kur koleksioni u evakuua gjatë luftërave napoleonike. Aty ruhen edhe sot: përkrenarja dhe shpata ekspozohen në kompleksin Neue Burg, si pjesë e koleksionit të Muzeut të Historisë së Artit.
Në nëntor 2012, ato u sollën përkohësisht në Tiranë për 100-vjetorin e Pavarësisë, duke iu dhënë shqiptarëve një mundësi të pashoqe për t’i parë nga afër. Për disa javë, ato u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar, përpara se të ktheheshin në Austri.