AKTUALITET, 3 October 2026, 12:18

Harta e re territoriale/ Blushi thirrje për protestë para Kuvendit: Të mblidhemi të gjithë, jo vetëm banorët e 15 bashkive

Harta e re territoriale/ Blushi thirrje për protestë para Kuvendit:

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, propozoi që opozita të thërrasë qytetarët në protestë para Kuvendit të enjten, kur pritet të votohet harta e re territoriale.

Sipas tij, protesta nuk duhet t’u lihet vetëm banorëve të 15 bashkive që parashikohet të shkrihen, por duhet të përfshijë qytetarë nga i gjithë vendi.

“Në kushtet kur Rama po vepron me parimin e faktit të kryer dhe kur jemi pak ditë para seancës së thirrur në mënyrë të njëanshme, mendoj se nuk kemi shumë kohë për të ndjekur rrugët procedurale, pra ankimimin në gjykata. Opozita nuk duhet t’ua delegojë betejën vetëm qytetarëve. Opozita duhet t’u prijë protestave dhe seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët, jo vetëm banorët e 15 bashkive, të mblidhen atë ditë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’i treguar këtij kryeministri se zot në Republikën e Shqipërisë janë vetëm shqiptarët. Duhet të dalim me një thirrje drejtuar shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e familjeve të tyre. Harta e propozuar nga Rama është hartë antikombëtare”, tha Blushi.